Autor te ndryshem
Dekomunistizimi i përditshëm – domosdoshmëri për demokracinë
25-08-2010 / Nga Luan Myftiu – marre nga Gazeta 55 online
Pa dënuar të kaluarën, nuk çmohet e tashmja. Nuk ka falje të sinqertë pa pendesë të çiltër. Demokracia është e kundërta e diktaturës. Ata që mbrojnë dhunën, s’mund ta duan lirínë. Kush ka nostalgji për diktaturën, përçmon demokracínë. Nuk shkohet në Europë me mentalitet komunist. Të mos dënosh krimet e komunizmit, nuk ke të drejtë morale të mbash leksione për liritë e individit. Nuk bëhet vëllazërími kombëtar pa u vlerësuar toleranca fisnike e të martirizuarve prej mizorísë komuniste. Kush i quan krimet e komunizmit gabíme, tenton të fshehë mëkatet e veta në diktaturë. Ndërsa ai që shprehet se “ashtu ishin ligjet!”, kërkon të justifikojë gjëmat e pafalshme. Nuk mbulohet dielli me shoshë. Kush kërkon vërtet të ardhme për brezat që vijnë, lypset t’u mësojë tmerret që pësoi shqipëría nga sistemi i “dajakut”, gënjeshtrës dhe urísë. Avokatët e diktaturës ia quajnë asaj lirí barazinë e njerëzve në mjerim. Ligësía lypset quajtur me emrin e saj. Depersonalizimi i njeriut prej komunizmit qe një krim që nuk mund të fshihet me hipokrizi. Shqipëría endé lëngon nga paragjykimet e luftës së klasave. Kriminelët e djeshëm janë fuqizuar ekonomikisht dhe po tentojnë të marrin frenat e shtetit. Ata kanë mësuar përmendësh të mirat e demokracisë dhe me to në gojë shtiren si ajka e progresit. Tolerancën e të persekutuarve e quajnë dobësí, ndërsa mirësínë e shpirtit ua përçmojnë si sentimentalizëm të sëmurë. Deformimet që i bënë njeriut të “rí” i vlerësojnë si merita të prindërve të tyre, që edukuan ( shfytyruan ) shoqërínë me dajak. Zbardhja e krimeve të komunizmit do t’i përgatisë brezat me ndjenjat e pajtimit e vëllazërímit kombëtar. Ajo do të kultivojë tek ata shpirtin e dhembshur dhe përbuzjen ndaj egërsísë. Nuk përqafohet virtyti pa dënuar veset. Nëse mburresh që ke nëpërkëmbur të pafajshëm, nuk garanton dot barazinë e njerëzve para ligjit. Kush është tallur me të drejtat njerëzore, nuk pranon përparímet e lirisë. Po nuk mallkove privilegjet e pamerituara të diktaturës, nuk mund të jesh kundër korrupsionit. Socialistët me Ramën në krye e kanë në gjak konfliktin. Me kokën nga e kaluara, ata i shohin me syza të errëta përparimet, nga të cilat përfitojnë të gjithë. Socialistët duan ta shohin popullin mjeran. Ai lypset të jetë mirënjohës ndaj zemërgjerësísë së tyre. Nuk ka si të gëzohet për liberalizimin e vizave, ai që kujton me nostalgji kohën e izolimit, të mbylljes dhe të bunkerizimit të jetës në diktaturë. Nuk pranojnë konsensus për reformat madhore ata që u edukuan të sundojnë pa kundërshtarë. Partia socialiste nuk është distancuar nga komunizmi. Nuk i ka dënuar ajo endé bëmat dhe gjëmat e tij. Nuk e mallkon ajo masakrën komuniste. Përkundrazi! Ajo përkujton datat historíke, ku lavdërohet kryebanditi Enver Hoxha. Ndoshta prandaj kërkon dhe pushtet me dhunë. Prandaj nuk pajtohet me sukseset e demokracísë. Mos vallë mbron të kaluarën për t’i siguruar vetes një pushtet të pamerituar ? Por ajo nuk del haptas. Gjarpërit nuk i duken këmbët. Ajo e mban veten për më demokrate, që synon aspiratat e demokracive të konsoliduara. Prandaj ulërín për shenjtërínë e votës dhe nuk pranon endé kompromis për progresin e vendit. Nuk kujdeset Edvin Rama për të kryer procesin historik të pajtimit kombëtar. Ai ka frikë nga çlirimi i energjive të përbashkëta kombëtare për qeverisjen e këtij vendi të pasur.
Dënimi i krimeve të komunizmi është një nevojë historíke. Të gjitha vendet e Lindjes komuniste e kanë realizuar këtë proces human. Vetëm Shqipëría ka mbetur prapa, sepse socialistë shqiptarë janë të interesuar për të mos e pastruar rrugën me gjemba të hidhur, që la pas vetes komunizmi. PS.-së i intereson mentaliteti i frikës, që krijoi komunizmi duke i detyruar njerëzit t’i bëheshin mbështetës për dënimin pa faj të armiqve të vet imagjinarë. Të mashtruar e nën presion, pati dhe mjeranë që u bashkuan me korin e xhelatëve duke mallkuar “armiqtë” e pushtetit, të cilët as që kishin menduar të kryenin ndonjë vepër të keqe. Kjo frikë instinktive shfrytëzohet sot nga “byroistët” e rinj socialistë për t’i bërë ata përsërí viktima të rëmujave, që këta banditë organizojnë për të marrë rishtas pushtet me dhunë. Dënimi i krimeve të komunizmit do t’i çlirojë shumë njerëz të pafajshëm nga ankthi, që u krijoi terrori sistematik i diktaturës. Të zhgënjyerit e ringjallur, nuk do të jenë më kontigjent i atyre që urrejnë demokracínë. Dënimi i krimeve të komunizmit do të jetë dhe një vlerësim i shtresës së të përndjekurve politikë të diktaturës.
Lufta kundër krimit komunist dhe autorëve të masakrës së diktaturës duhet bërë e organizuar. Ajo nuk mund të realizohet vetëm me biseda televizive, që shpesh nuk ndiqen me interes nga njerëz, që nuk kanë haber se ç’ka ndodhur në prapaskenën e tmerrshme të atij rregjimi, që bëri të dridhej dhe foshnja në barkun e nënës. Kur Shqipëría të njihet me makabritetet e diktaturës, kur ajo të emocionohet nga skenat e përbindshme, kur të shohë në teatër, në filma, a të lexojë në tregime, vjersha e romane tmerret e komunizmit, ka për t’u çliruar nga mashtrimi dhe do të krijojë atë solidaritet qytetar e klimë vëllazërími, që do ta largojë atë shpirt konfliktualiteti, që po e mban Shqipërínë në një lloj përçarjeje absurde, me origjinë që nga lufta e klasave. Natyrisht, kjo luftë nuk bëhet pa dhimbje. Çdo gjë e re ndërtohet mbi gërmadha. Nuk ngrihet shteti i së drejtës pa dënuar frymën e padrejtësísë të atij sistemi, pasojat e të cilit po i bëjnë socialistat ta shohim kundërshtarin politik si armikun e tyre !..
—————————————————————————-
Gjaku shqiptar i Himarës
Pra ç’jemi ne? Shqiptarë! Po pse e humbëm gjuhën? Unë do të them ato që di: Pse nënat plaka, gjyshët dhe gjyshet dinë më mirë shqipen se greqishten? Pse qajmë e këndojmë në shqip? Pse fjalët e urta i themi në shqip?
Siç duket që nga viti 1820 e këtej, greqizimi u bë me qëllim politik nga vetë Greqia, që fitoi lirinë me gjakun e shqiptarëve, qoftë në Mesolongji, qoftë në revolucionin grek. Suli dhe Himara ishin shqiptarë, po dy krahina autonome që nuk njihnin as Greqinë, as Shqipërinë, së cilës i kishte humbur edhe emri. Suli dhe Himara ishin kurdoherë në luftë me turkun.
Erdhi koha që Himara u nda: Himara bregdetare mbeti e lirë dhe e krishterë, kurse Himara e brendshme, Labëria, Kurveleshi, Lumi i Vlorës e Dukati u myslimanizuan dhe u ndanë. Megjithëse u ndanë në dy fe nuk e humbën kurrë lidhjet e gjakut dhe të fisit. Çdo fshatar kishte të tijtë në një fshat të myslimanizuar që në kohën e Ali Pashë Tepelenës.
Kur bëheshin operacione ndëshkimore nga turqit, bregasit nuk shkonin përtej maleve, në Mesaplik e në Kurvelesh, për t’u mbrojtur, siç bënin gjer në atë kohë, por iknin me varka për në Korfuz ose për në Gjirit, nën mbrojtjen e venecianëve.
Aty shkonin pleq e plaka dhe fëmijët. Burrat luftonin. Aty rrinin shumë vjet, gjersa mbaronin operacionet ndëshkimore. Thonë se banorët e Dhërmiut shkonin në ishullin grek, kurse ata të Himarës në Gjirit.
Prandaj dhe, kur flasin greqisht, dhërmijasit flasin si korfjanët, kurse himarjotët, si gjiritlinjtë. Pastaj shkollat ishin greke. Mesha këndohej greqisht. tregtinë e bënin me Korfuzin, Janinën. Pak nga pak u shkëputen lidhjet me Labërinë, me Dukatin.
Greqia, që u çlirua e para, thoshte se kudo ku janë ortodoksë, janë grekë; myslimanët janë turq. Nisi antagonizmi turq e kaurë! Propaganda bënte punën e saj. Kjo u thellua në kohën e Ali pashë Tepelenës, i cili dërgoi një delegacion në Himarë, që dhe Himara të myslimanizohej.
Paria e Himarës delegacionin e priti në Qeparo, se kishte më shumë kapedanë. Delegatët e Ali pashë Tepelenës u thanë mendimin dhe qëllimin e vizitës. Më plaku i kuvendit himarjot u tha delegatëve:
- E falënderojmë pashanë, që mendon për të mirën tonë. Po i thoni pashait se këtu poshtë, në fshat, kemi një fushë që s’ka ujë. Thahet në verë dhe nuk na jep asgjë. I jemi lutur Krishtit dhe Shën Mërisë, Shën Kozmait dhe Shën Spiridhonit, po s’na dhanë ujë. Në na dhëntë Muhamedi ujë, menjëherë bëhemi myslimanë. Kështu i thoni pashait. Kur vajtën e ia thanë pashait përgjigjen e bregasve, ai qeshi me zemërim dhe tha:
- Eh kaurët e dreqit, do të ma paguajnë!
-Pastaj, duke qeshur : – Pizevengët, janë të zgjuar, s’ke ç’thua, janë rrufjanë të mëdhenj!
Pak nga pak propaganda greke bëhej më e madhe, duke pretenduar se Himara ishte krahina heroike e Greqisë. Shumë kapedanë, sidomos paria, kishin privilegje.
Dhe paratë e mirëbërësve himarjotë, që i kishin lënë në bankat greke për shkollat e Himarës, ishin një shkak shumë serioz për propagandën greke.
Gjikë Bixhili nga Dhërmiu kishte fituar shumë para në Rusi, ku e kishte marrë Pano Bixhili, përfaqësues i himarjotëve pranë Carit, në Petërsburg. Mësuesit dhe shpenzimet për shkollën merreshin nga fondi i Gjikë Bixhilit. Gjikë Bixhili ndërtoi dhe një shkollë, që është sot e kësaj dite. Ne kur ishim të vegjël, në shkollën e fshatit shihnim portretin e tij, të varur në klasë.
Siç i la Gjikë Bixhili paratë në bankën greke, ashtu i lanë dhe shumë mirëbërës të tjerë nga Jugu, si Zhapa me shokë. Ishin miliona, të cilat u bënë burim për të ushqyer propagandën greke në vendin tonë, sa u krijua miti i Vorio Epirit dhe sillogu vorioepiriot, që merrej me çlirimin e Vorio Epirit, domethënë të Shqipërisë së Jugut. Paratë u vunë në dispozicion të parisë, e cila merrte një mijë dhe shpenzonte një…
Paria merrte para nga banka greke, e cila qe e autorizuar nga qeveritë reaksionare nacionaliste të Megali Idhesë ( Megali Idheja: që Greqia të behej e madhe duke përfshirë në kufijtë e saj jugun e Shqipërisë dhe vendet ballkanike ku janë ortodoksë).
Himarjotët që emigronin në Greqi, kishin privilegje: përkraheshin si bij të një “krahine heroike greke” me histori trimërie e burrërie.
Fatkeqësia ishte se Shqipëria u çlirua e fundit në Ballkan. Himara kishte ushqyer shpirtin e aneksartisë, autonomisë, si Suli, i cili pak nga pak u greqizua. Dhe, pasi u çlirua Shqipëria, me kufijtë të cunguar shumë, propaganda greke e ushqeu shumë idenë e autonomisë së Himarës: as shqiptarë, as greke! Kishte hedhur rrënjë të thellë kjo propagandë në shpirtin e himarjotëve, të cilët sytë i mbanin nga Greqia.
Krerët himarjotë, si Spiro Miloja, një luftëtar që e ndihmoi shumë Greqinë, ishte në krye të kësaj propagande, me gjithë farefisin dhe sojin e tij të përndarë në Dhërmi, Vuno e gjetkë.
Spiro Miloja ishte nga Progonati. Në fshatin tonë ai kishte farefis Llukë Zh. e të tjerë, që propagandonin ndarjen e Himarës nga Shqipëria. Si bazë kryesore të propagandës përdornin dhe këtë: Pse Labëria u bë turke?
E pse te mos bëhemi edhe ne me Greqinë, që është armike e betuar e Turqisë, siç jemi dhe ne armiq të betuar të turkut. Shumë fanatikë ishin fshatarët e mi! Njëzet e gjashtë kisha kishte. Mbaj mend unë se kishte tetë priftërinj.
Lidhjet ekonomike, privilegjet në Greqi, interesimi i Greqisë për himarjotët, sillogu vorioepiriot ndikuan shumë për t’i bërë himarjotët t’i kthenin sytë nga Greqia dhe të ëndërronin për një autonomi. Pastaj, edhe në kohën e pavarësisë himarjotët panë se asnjë qeveri e Tiranës nuk u kujdesua asnjëherë për ta. Nuk shkonin as xhandarë dhe nuk merreshin në asnjë punë.
Ata pëlqyen të mërgonin: herën e parë në Llavrion, ku kishte miniera; në Korint, për të hapur kanalin; në Vllahi, në Rusi, pastaj në Amerikë, në Francë, në Meksikë, në Argjentinë, në Australi, Kanada e gjetkë. Kështu ne dinim më mirë ku binte Buenos Airesi sesa Kukësi, që nuk ia kishim dëgjuar kurrë emrin. Dinim ku binte Australia dhe jo Kosova, që nuk ja kishim dëgjuar kurrë emrin. Dinim ku binte Athina dhe Korfuzi ose Tirana e Shkodra. Ishim pa asnjë lidhje me atdheun tonë.
Disa përçarës, vetë regjimi i Zogut, sidomos Musa Juka, na përçau. U ndamë në fshat në dy parti: pendëkuqet që deshën Shqipërinë dhe shkollat shqipe; dhe pendëbardhët, që deshën Greqinë e shkollat greke në fshat. Këtë përçarje e ushqeu shumë Musa Juka, duke na armiqësuar vëlla me vëlla.
Familja jonë bënte pjesë në partinë e pendëkuqeve dhe mbanim në ballkon kurdoherë flamurin e Shqipërisë. Kapedanët e Spiro Milos na kishin ardhur disa herë në shtëpi, duke na thënë se Andrea Deshën që ne të linim shtëpinë e të shkonim në Korfuz, ku do të na mbante me shkolla e me pensione Athina.
Qoftë im vëlla, Fotoja, qoftë kushëriri im Jani, i sikterisnin duke u thënë: “Andrea Markoja u vra për Himarën dhe Marko Jani vdiq i veremosur nga internimet dhe vuajtjet e shumta për Himarën dhe jo për Greqinë. Himara sot është dhe mbetet shqiptare. Prandaj mbajmë dhe flamurin ditë e natë në ballkon. Ne e dimë gjakun tonë se nga buron”.



1 responses to “Autor te ndryshem”
epiriotul
August 18th, 2010 at 20:11
Koment per artikullin ”Dekomunistizimi i përditshëm – domosdoshmëri për demokracinë”
Ky eshte nje shkrim i jashtezakonshem, qellon drejt ne plagen me te thelle te popullit shqiptar. Kur nuk ka patur vendi yne nje regjim me mizor, me kriminel, me antishqiptar se regjimi komunist.
Denimi i ketij regjimi dhe i tradhtarit Enver Hoxha, sot ka nje prioritet te madh, nese duam te clirohemi nga bara e rende qe vazhdojme ta bartim ne shpirt. Eshte nje pengese e madhe per prosperitetin e kombit tone. Duhet tua transmetojme brezave te ardheshme kujtesen kolektive te popullit, qe te mos kete me kurre perseritje te kesaj pjese te erret te historise tone.
Pergezoj dhe falenderoj autorin Luan Myftiu per qartesin e mendimit dhe iniciativen e tij per ta shtruar kete subjekt si nje detyre aktuale e domozdoshme per shoqerine shqiptare ne kete faze te zhvillimit te saj.
———————–
Koment mbi artikullin ”Gjaku shqiptar i Himarres”
Pjesa e zgjedhur eshte e shkruar ne stil te lire dhe thjeshte por shume kuptimplote, qe duhet zberthyer mire per te nxjerre mesime nga historia qofte kjo dhe e nje fshati. Percarja, koruptimi i drejtuesave, paraja dhe propoganda fetare ultranationaliste greke e vorioepirit kane lene gjurme te thella qe duan kohe dhe shume kujdes qe te fshihen. Kjo pune kerkon nje program afatgjate politik per te arritur crenjosjen e ndasive fetaro-etnike dhe per te realizuar nje integrim te plote te popullit shqiptar. Nga greket mund te mesojme si te planifikojme me kohe gjerat qe te mos na zere perpara politika agresive e tyre. Duhet te gjejme mjetet efikase per te cmontuar gjithe mekanizmin e ndertuar prej tyre, tu presim burimet, te deshifrojme propaganden e tyre per tua bere te qarte njerezve te thjeshte se ku qendron helmi i inzhektuar dhe cfare qellimi kane.
Duhet tu rizgjojme krenarine kombetare pa ofenduar trashegimine e tyre, qofte kjo dhe jo korekte ose e shtremberuar por qe ka zene vend. Ceshtja e pranimit te nje perkatsie etnike eshte, si puna e besimit, shume individuale, aq me teper kur kemi te bejme me fshatare te thjeshte pa shume nivel, te cilet ndonjehere besojne me te vertet ate qe u serviret per nje kohe te gjate. Kuptohet ketu nuk behet fjale per njerez te shitur koke e kembe si Dule me shoke, te cilet jo se nuk e dine te verteten, por mundohen te perfitojne sa te mundin nga situata e krijuar.
Partite politike shqiptare dhe qeveria e Shqiperise duhet te mendohen thelle para se te shkojne ne keto zona ne kohen e fushatave zgjedhore. Po keshtu kur premtojne dicka duhet ti dine pasojat nese nuk i vene ne jete. Cdo boshllek qe mbetet me njehere kthehet ne nje subjekt per propaganden greke, e cila eshte tejmase vigjilente dhe e pranishme ne Himarre.
Nje gje duhet tu shpjegohet, se qeveria greke ne asnje menyre nuk vepron ne interes te popullit shqiptar qofte ky dhe foles i gjuhes greke. Interesi i tyre qendron ne krijimin e zones se influences, ne perfitime afatgjata. Ata e kane te qarte se kufijte nuk do ndryshojne me, por kerkojne te shtrijne influencen ekonomike dhe politike.