Problemet e pamvarsis se Kosoves
Fustani i Hashimit
Beri si beri Europa dhe ja veshi një fustan Kosovës. Në fakt jo Kosovës ja veshën, po qeverisë së saj, Hashimit. Ketej e tutje nga të shkoj kjo qeveri, në dasëm, në aheng, në logun e burrave, do dali me nj’atë fustan që vetë e veshi. E veshi mshehtas, pa pyt njëri, pa i thënë kujt, jashtë, mos me pa kush nga robt e shtëpisë. Shkoi për të vënë vetullat dhe nxorri sytë. Ja morri shkija dhe atë farë bajraku që vet Hashimi e kishte sajuar për merak, me gjith ato xhixha të verdha. Kuptohet me pak ndihmë nga ndërkombetaret, por autorsia atij i mbetet prap, pasi nuk i pëlqeu flamuri i Ibrahim Rugoves. Hej, ku u katandis puna! Kur të vej në sebepe, tash e tutje do shkoj pa bajrak dhe i vesh me fustanin e marr borxh, e knej na ngrefet si gjeli. Mburet se ka me na ҫu nuk e di ku në Europë, se të zotët e fustanit i paskan premtu do viza, a bileta treni, kinemaje ban vaki me pa filma me kauboi.
Medet, sot po lexojsha një lajm se ata të Eulexit nuk dun me i ҫu më doganjerët shqiptar për dore deri tek pikat kufitare. Hall i madh, si do i kapërcejnë këta të shkretët katundarët sërb, tash për ditë këta, atë punë do kenë, i la si la sërbi me shku në pikën e kufirit. Kam frikë se do mbeten pa punë, do marrin pushim, deri sa tua zgjidhi BE-ja punën. Qeveria e MADHE e Prishtinës e paska frikë qeverit e vogla të tre katundeve, që s’duan me i leju policat e Hashimit të kalojnë nga lagjia e tyne. Kanë hak vallahi, e si mos e hedhin sh… përpjet, kur vjen Tadiҫi në ditë të madhe, mu në mes të Kosovës dhe na thot: ҫfarë Hashimi, leni nj’atë klloun se, se pyt njëri, këtu në Kosovo, zot jam unë sa të jet jeta. E qeveria e MADHE po i mbyll veshët mirë me ҫorapet e ambasadorit, që të thotë se s’ka dëgju gjë e s’ka pa kurrfargjëje. Mirë e ka, thonë dhe ndërkombëtarët për Hashimin: politikan i madh qeratai, për besë po. E masnej tallen me të mes vedit nëpër koridoret e Brukselit, kur pinë kafen me Tadiҫin. Po Hashimit aq i bën, kur e do puna dhe e fshin pluhurin e kolltukut me b…se le bosh. Tash i ka ardh zogu në dor, se shlon më për qamet. Mjaft ta ket mirë më ambasadorin dhe me ndonjë anej nga Brukseli, se për miletin ron ai 100 vjet, e ka ba top mendjen. Kot lodhen ata të VV-së, sa ta ket shkopin e xhandarit në dor Hashimi do i rahi sa herë ti vij puna, pa në parlament e ka vënë vijë punën, ban si do vet.
Çfarë të mjellësh atë do korrish, thotë populli. Si i morri votat, ashtu dhe po e bën dhe punën. Nuk e kam të qartë se ҫfarë pozicioni ka Pacolli në këtë punë, s’po ja dëgjoj zërin, apo do dali dhe ai me fustanin e Hashimit. Si ka punën që del shpesh për vizitë, ma ha mëndja se i duhet me i pre një fustan të vetin, se ka mundësi që të dalin të dy njëherësh, njëri në Afrikë, përshembull dhe tjetri në ishujt Havajane. Do pak kohë sa tu mësohet syni arabëve, afrikanve, tailandezve, anej nga Honoluluja etj., me fustanin e Hashimit , se pastaj keni për ta pa kur të mblidhen të gjithë tok e ta njohin prej së largu, veҫ nga ngjyra e fustanit.
Miqtë e mij, ma bëni hallall këto shaka që bej, e kam nga halli. Më ka mërzit fort kjo puna e fusnotës ( unë i them fustan), kam përshtypjen se kjo punë po na i humb krejt sakrificat e luftës. Një shekull luft dhe vjen një Hashim dhe bie dakord me shkien tja heqi shtetsin Kosovës. Nuk di ҫ’të them, ma zi nuk bëhet.
Bukuresht,04.03.2012
http://kosovarimedia.com/home/aktual/opinione/8580-fustani-i-hashimit.html
—————————————————————————————————
Prap po na e qethin Kosovën-a ?
Këto ditë shumë autorë po shkruajnë të revoltuar në shtypin elektronik, lidhur me një deklaratë të shluar në
erë nga një farë zoti Busek. Se di se nga mbiu ky rob, po mëndje të keqe paska patur i ligu, se kam pas ditur se egzistoka. Po kështu, më erdhi një letër nga Vetvendosja, ku përshkruhesh protesta kundër bisedimeve dhe qëndrimit të qeverisë tonë pa gojë dhe mburavece, e cila nuk po ka kollonë vërtebrore fare. Lexova shkrimin e Gjokë Dobaj me titull ” Zotin Busek duhet ta sqarojmë” dhe mu rrudh zëmra fare. I kishte rradhitur i shkreti krejt tokat që na i ka marrë sërbi me kohë dhe tërë tokat që po ja bën peshqesh kjo qeveri mu në zëmër të Kosovës. Mu erën sytë, më erdhi tavani rotull, nuk po më besohet, si mundet që një qeveri shqiptare me na shit në këtë farë feje. Shumë pyetje më erdhën për një ҫast në mëndje. Kam pyetje për Taҫin dhe yzmeqarët e tij, për Salën dhe qeverinë etij, për ndërkombëtarët europian, kam pyetje për Zotin që na e dha këtë fat të keq. Kam pyetje për krejt shqiptarët: a kanë mbet burra në këtë tokë të larë me gjak, apo kemi mbaruar krejt dhe s’ka kush të flasi?
Ded Gjon Luli, me kobure në brez shkoi drejt e në Londër, mu në strofkullën e tyre, me ua thënë dy llafe, tërr si bëri syri. E sot nuk po guxoka kush, me ua thënë copë ambasadorve, që vijnë vërdall si korbat në Prishtinë e në Tiranë. Me ua thënë hapur, se pazar me tokat tona nu bën vaki me bë, se ne po dum me u bashku. Medet, s’po i del kush zot Shqipërisë sonë, ka mbet jetime e mjera, në mes ujqëve, që mezi presin që ta shqyejnë si njëherit. Ku ku, ҫfarë të ka gjet moj Nanë ! Si u ligështuam kështu, si mbetëm pa burra, pa gjak, si e lëshuam amanetin ? S’ka me na tret kjo tokë as kockat e heronjve, aty ku janë.
Turku na ndau në katër vilajete. Fuqit e mëdha e prenë Shqipërinë si deshën, e bën pesë copash. Tito e qethi Kosovën, se ish e madhe dhe se gëlltiste dot sërbi kollaj. I ndau qytetet më qytet e fshat më fshat, e bëri copa copa rreth e rotull Kosovës, si u erdhi për mbarë, veҫ republikë mos bëhej dhe prap e madhe ju duket. Ngrejtën kishat mbi ato tonat, dogjën shtëpit tona për të ngrit të tyret, shkulën varret tona për tu bë vënd të vdekurve të vet, vranë shqiptarët për ta shtu popullin me sërb, e prap su kënaqën.
Tash po e mprehin sopatën prap që ti heqin edhe një copë tjetër gjys-Kosovës, apo ҫerek-Shqipërisë së mbetur. Nuk u ngopën këta lugetër kurrë. Nuk ndalen këta jo or jo, deri sa të na shfarosin krejt nga faqja e dheut. Duan me fshi Shqipërinë krejt prej harte, nga një ҫikë e nga një ҫikë. Ata po na e presin mishin, e ne duam të hyjmë në BE ? Ku i ҫon mushka drutë politikanëve tanë. Veҫ politikanë nuk janë këta dallkaukë. Ç’është kjo politikë, me e coptu vëndin tënd, me e shit si një copë buke, me ja dhënë hasmit peshqesh. Qe, kam lexuar boll histori dhe politikë, por një gjë të tillë se kam pa në asnjë vënd. Gjithë politikanët luftojnë me zaptu toka, me e shtu, me e begatu vendin e vet, e këta tanët po shesin për hiҫ, për një buzqeshje të ndonjë laroje ndërkombëtar, për një rahje shpatullash. Ku u katandisëm!
Ja fshinë emrin Republikë shpejt e shpejt, me një fjalë goje. Sa e hapi gojën sërbi, këta shpejt u bënë gatitu. ”Lepe, pa republikë e do – peqe, po deshe ja heqim dhe emrin Kosovë, ja vëmë si ta dush ti, veҫ mos u mërzit dhe shko futu në Europë, se mezi po të presin, pa ne kemi do punë këtej nga katundi jonë, sa ti rahim ca ata të Vetvendosjes, që nuk po na ndëgjojnë fare”.
Çohu mor Ded edhe Adem prej varri, se prap po na digjet vatani!
Bukuresht, 10.02.2012
http://kosovarimedia.com/home/aktual/editoriale/8241-prap-po-na-e-qethin-kosoven.html
——————————————————————
Dhuna në Bukuresht dhe në Kosovë
Është e katërta ditë që nëpër qytetet kryesore të Rumanisë po ushtrohet dhuna policore për të mbytur protestat popullore. Do jua shpjegoj më poshtë se ҫfarë po ndodh këtu, por para kësaj dua të ndalem në fenomenin e dhunës.
Nuk jam simpantizant i dhunës, nga cilado anë qoftë kjo e ushtruar, jam kundra qoftë dhe asaj verbale aq
shumë përdoret në median dhe mjediset e politikës shqiptare. Dhuna është pasoj, është dobësia e atij që e ushtron. Dihet sintagma që lufta fillon aty ku mbaron diplomacia, në sensin se përdorimi i forcës është një instrument i cili përdoret në rastet e dështimeve diplomatike, i dështimeve të negociatave, i bllokimit të rugëve të komunikimit. Një konflikt interesash i pazgjidhur në rrugë politike përfundon në dhunë, ku palët kërkojnë të fitojnë të drejtën e tyre nëpërmjet forcës.
Shtroj pyetjen: a është e nevojshme dhuna në kohë paqjeje?
Konstatoj se të gjitha shtetet e mëdha armatosen sa mundin në vazhdimësi, armët prodhohen gjithashtu në vazhdimsi, mjetet e dhunës shtetërore modernizohen, bëhen sa vjen dhe më efikase, më të shpejta, përse vallë ? Sa fonde harxhohen për instrumentet e dhunës shtetërore? Mjaft specialistë thonë se me këto fonde do ishte e mundur të zgjidheshin mjaft probleme ekonomike dhe sociale të atyre vëndeve, por kjo nuk përbën një objektiv për klasat politike që i drejtojnë. Sa fonde ka harxhuar shteti i varfër Kosovar për policinë, e cila, siҫ e pamë dje, qënka në gjëndje ta mbysi me dhunë protestën e VV-së, për të cilën ministri Rexhepi u deklarua shumë i kënaqur. Suksesin e pamë ashiqare. Kuptohet që ajo akoma nuk është në gjëndje të heqi barikadat dhe strukturat paralele në veri, s’ka gajle, rëndësi ka që VV-së i vjen hakut, prandaj dhe qeveria është e kënaqme se e ndjen veten të fortë, të paktën në këtë pikë. Një shtet apo një qeveri përcaktohet nga fakti se kundra kujt e përdor dhunën. Nëse dhuna përdoret kundra popullit të vet që proteston, atëhere themi se kemi të bëjmë me një regjim antipopullor.
Që ti jap përgjigje pyetjes së mësipërme do më duhet të hyj në analizën e situatës së brëndëshme politike në Kosovë, e cila solli këtë rezultat kaq të dhimbshëm për të gjithë. Më terhoqën vëmëndjen sot deklaratat e politikanëve shqiptarë kosovarë, maqedonas apo të Tiranës. Në përgjithsi ata u distancuan dhe folën kundra metodës së protestës që zgjodhi VV-ja për të vënë në jetë një vendim të kuvëndit, të cilin qeveria nuk e përfilli. Askush nuk diskutoi problemin në fond, a duhet të respectohet nga qeveria ky vendim dhe a duhet që shteti i Kosovës të vendos reciprocitetin me Sërbinë. Kjo pyetje është kyҫi dhe thelbi i problemit, mendoj unë. Këta politikan përkrahin qeverinë e Hashimit në princip dhe jo se kanë rënë në dashuri me të. Benë paralelizma me 21 dhjetorin, pa bërë dallimin se cili është motivi i protestës dhe kush merr pjes apo e drejton atë. Këtë gabim ”të vogël” jam i sigurt se nuk e bëjnë nga padija, përkundrazi e bëjnë me qëllim, të vetdijshëm për autoritetin dhe fuqin e tyre në manipulimin e opinionit shoqëror. Mjaft lexues shqiptarë në Facebook ranë në këtë grackë politike, në këtë manevër të pandershme të përhapjes së helmit të dizinformimit të paskrupullt.
Në Rumani protesta popullore filloi si rezultat i një konflikti që pati një funksionar i lartë shteti i ministrisë së shëndetsisë me presidentin e vëndit, lidhur me një projekt ligj mbi reformat e shëndetsisë. Funksionari i lartë, një mjek me origjinë siriane, nuk u thye dhe nuk u trëmb nga ndërhyrja e presidentit, opinioni shoqëror i dha të drejtë mjekut dhe shumë njerëz filluan protestën për ta mbështetur. Shumë e konsiderojnë se projektligji në fjalë do e ushqej korupsionin në privatizimin e sistemit shëndetsor. Ndërkohë ai (mjeku i ndershëm) u tërhoq duke dhenë dorheqjen për të mos u bërë ai motiv, por protestat vazhduan, u shkallëzuan më tej, deri sa u kthyen në konflikt mbarë popullor që u shoqërua me dhunën policore. Në fakt, popullit i ka ardhur në maj të hundës me klasën politike të koruptuar dhe protesta e tij i ka rrënjët shumë më të thella sociale dhe ekonomike në kushtet e krizës që po përjetojmë. Mesa e njoh unë pulsin e qytetarëve të thjeshtë rumun, protestat do vazhdojnë gjatë, pamvarsisht se rezultatet e saj do mundohet ti shfrytzojë opozita, për të larë hasapet e veta me presidentin dhe majorancën që po qeveris vëndin.
Duke bërë paralelizmin midis dy vëndeve, gjykoj se populli i Kosovës ka motive shumë më të forta për të protestuar, se sa rumunët. Niveli i jetesës në Kosovë është shumë më poshtë, problemet janë shumë më të mëdha, korupsioni po ashtu. Në Rumani opinioni shoqëror këtu nuk i dënon protestuesit, përkundrazi, diskutimet përqëndrohen rreth paaftesisë së qeverisë dhe korupsionit të klasës politike. Atëhere përse ne
duhet me akuzu VV-në dhe Albin Kurtin për iniciativën e marrë për të protestuar, kur ajo megjith përpjekjet parlamentare nuk arriti të bindëte qeverinë të zbatojë vendimin e marrë me shumicë votash në kuvend. Pra arrijmë në një blokazh, rrugë pa dalje, nga njëra anë protestat nuk janë pozitive (thonë ata), nga ana tjetër sistemi nuk funksionon. Mesa duket, demokracia në Kosovë do kohë të instalohet, akoma na duhet mjaft kohë që ta kuptojmë njëherë atë, pale pastaj të mësojmë regullat e lojës, dhe pastaj ehu kushedi se kur do i vij koha ti zbatojmë ato. E keqja është jo se nuk mundemi, por nuk duam që ajo të vijë shpejt. Përveҫ popullit askush nuk e do demokracinë, transparencën, ligjin në Kosovë. Këto gjëra i prishin punë klasës politike, e pengon të ”vëjë dhjamin për dimër si ariu”. Të gjithë e dimë se me roga nuk bën dot pasuri, prandaj pak korupsion duhet, që të shkurtojmë kohën, nesër ku i dihet. Halli është se askush nuk di me u ndal tek ajo ”pak korupsion”, tahmaja bën të vetën, nga pak bëhet shumë dhe për popullin s’mbetet më gjë se aq është, thelë e vogël. Këtu është zanafilla, pastaj po ti shtojmë kësaj hesapet që kemi me sërbët, mbushet kupa dhe populli del në rrugë.
Kush ka të drejtë si thoni?
Është metoda e protestës e zgjedhur nga VV-ja e gabuar apo qeveria gaboi sa mundi dhe tani don me jua mbyll gojën me shkopin e policit?
Haj ta zëmë se Albini dhe VV-ja do e mbylli gojën (ose do ua mbylli Thaҫi me forcë) dhe do shkojë të rehatohet në shtëpi, tu pa filma në RTK, si do i bëhet puna hallit të popullit, që i ka vajt thika në palcë ?
S’po i hyj më punës me sërbët dhe bisedat me ta se do më duhet të nis të shkruaj nga e para.
Bukuresht, 15.01.2012
http://www.botasot.info/def.php?gjuha=0&category=20&id=151603
http://www.zemrashqiptare.net/article/Komente/25895/
http://tribunashqiptare.net/?p=4137
http://kosovarimedia.com/home/aktual/opinione/7864-dhuna-ne-bukuresht-dhe-ne-kosove.html
http://www.gazetakritika.net/Forumi/?itemid=4524
————————————————————
Retë e zeza para shtrëngatës në Kosovë
Këto ditë po përjetojmë një rritje të tensionit politik në Kosovë. Puna ka mbritur deri aty sa kërcënimit të Thaҫit lidhur me planin e bllokimit të dy pikave kufitare, Albini i përgjigjet me të njëjtën monedhë, me sensin se VV-ja nuk tutet dhe nuk tërhiqet nga ky aksion politik. Toni i deklaratave sa vjen e po bëhet më i ashpër. Sejcili po pregatitet të përballet me situatën e cila mund të degradojë duke prodhuar situata të pa rikthyeshme. Deklaratat publike të sejcilës palë bëhen për të influencuar opinionin dhe për të justifikuar atë shka do ndodhi nesër. Tashmë u prish statukuaja dhe ekuilibri i deritanishëm, politika po rrëshqet drejt humnerës së konfliktit të hapur, ku qeveria do pozicionohet në anën e kundërt me lëvizjen popullore. Përplasja midis forcave politike tashmë doli nga kornizat e debateve parlamentare, nesër do jemi dëshimtarë të ushtrimit të forcës ndaj demostruesave vullnetarë.
Kjo është një fazë e re për shtetin e ri të Kosovës. Në rrugën e tij për sigurimin e pamvartësisë, për krijimin e një sistemi funksional dhe ligjor, po hyn në një krizë e thellë politike, e cila në fakt po transformohet në një konflikt të hapur, ku pozita me opozitën po vihen ballpërball dhe do u duhet të marrin vendime, për të cilat do vihen para përgjegjsisë ligjore apo morale para popullit dhe kombit shqiptar. Nga ana tjetër mos harojmë faktorin ndërkombëtar në konjukturën e sotme. Qeveria mbron pozicionin e saj për zgjidhjet graduale pa afat, ndërkohë që VV-ja propozon zgjidhje të menjëhershme radikale. Qeveria kosovare vazhdon të implikohet dhe të fundoset në bisedime për kompromise të dyshimta me qeverinë sërbe, të cilat ndërmjetsohen dhe inkurajohen nga përfaqsuesit ndërkombëtar. Kjo rrugë e ndjekur qeveritare vazhdimisht është kontestuar nga opozita si një rrugë që ҫon në reduktimin e pamvarsisë dhe rikolonizim të kamufluar të Kosovës nga Sërbia. Nëse është kështu, përse luftuam atëhere?
Shumë gjëra janë të paqarta dhe jo transparente, veprimet e qeveris nuk përputhen me deklaratat e saja. Flasin për suksese kur shohim se rezultatet na tregojnë tërheqje dhe humbje të vazhdueshme, shumë të interpretuara. Pa hyrë në problemet e korupsionit, të varfërisë, të nepotizmit dhe trafikut të influencës, një gjë është e qartë – Kjo qeveri nuk është e aftë të administrojë problemet e mëdha të kësaj periudhe tranzitore që po kalon Kosova. Kjo qeveri nuk ka vullnetin e mirë të marrë përsipër zgjidhjen e problemeve, prandaj preferon shtyrjen e tyre. Kjo qeveri nuk i mbuloi interesat e popullit, por i shërben më tepër interesave të një shtrese të priveligjuar të popullatës. Kjo qeveri i frigohet një strategjie kombëtare, prandaj preferon të fshihet mbas interesave ndërkombëtare. Kjo qeveri tashmë e ka humbur mbështetjen popullore dhe nuk e përfaqson më atë. Që në momentin e manipulimit të zgjedhjeve dhe më von, kjo qeveri e ka humbur ligjimitetin dhe zvaritet duke u mbajtur në patericat ndërkombëtare.
Kush nuk e kupton sot se qeveria e Thaҫit nuk mundet dhe nuk do, të vendosi reciprocitetin me shtetin fqinjë të Sërbisë. Në këtë pikë luhen interesa të mëdha të një grushti njerëzish, të cilët shkelin pa kurfarë turpi mbi vuajtjet e një populli të tërë. Atyre nuk u bënë përshtypje dhe as që duan tja dijnë se sa shqiptarë vuajnë nga varfëria e skajshme. Kjo është e vërteta e hidhur që nesër do i nxjerrë në rrugë shqiptarët për të bllokuar interesat e bosave të hyjnë në Kosovë nga dy pikat kufitare. Nëse policia do ndërhyjë, në emër të qeverisë apo të ”ligjit” qoftë, që ti pengoj, kjo nuk do e justifikoj dot në sytë e popullit të revoltuar. Çdo polic apo ushtar qoftë, ҫdo komandant i kujdo rangu qoftë, nesër do i duhet të vendosë se në anën e kujt është dhe kujt do i shërbej – qeverisë apo popullit. Nesër është dita kur sejcili do tregojë fytyrën e tij të vërtetë, nuk ka rrugë të mesme këtu.
Uroj që dita e nesërme të mos kthehet në ditë zie dhe të mos ndodhi ajo që unë kam frik se mund të ndodhi. Uroj që qeveria shqiptare ti vëj gishtin kokës dhe të kthej rrugë, të rishikoj qëndrimin e saj, ti hapi veshët për të dëgjuar zërin e popullit. Uroj që qeveria e Prishtinës të japë dorheqjen nesër dhe ta mbylli me kaq, duke dhenë me këtë, kontributin më të madh që mund të japi për pamvarsinë e vërtet të Kosovës. Uroj që nesër, në dy pikat kufitare të vendoset vullneti i popullit dhe reciprociteti me Sërbin të bëhet një realitet tash e tutje.
Bukuresht, 13.01.2012
http://kosovarimedia.com/home/aktual/opinione/7815-rete-e-zeza-para-shtrengates-ne-kosove.html
http://agim.poeticforum.com/t19118-drperparim-demirete-e-zeza-para-shtrengates-ne-kosove#24966
http://www.zemrashqiptare.net/article/Komente/25877/
http://tribunashqiptare.net/?p=4069
http://gazetakritika.net//Forumi/dejavu.php/index.php?itemid=4514
——————————————————————-
Sa shpejt u gëzuam!
Një lajm i befasishëm mjaftoi të gëzojë krejt popullin shqiptar – Forcat tona speciale morrën pikat kufitare në veri të Kosovës. Situata u përmbys me njëherë, brënda një dite. Nuk ishte për të qënë, gëzimi ynë nuk mbajti gjatë, zhgënjimi u bë më i thellë. Na dolën një mijë pytje pa përgjigje:
- Pse duhej të tërhiqeshin forcat tona dhe të zëvëndësoheshin me forcat KFOR?
- A janë këto pika kufitare të Kosovës, apo janë të sërbëve dhe bëjnë si duan ata?
- Pse komandanti Erhard Byler diskuton me sërbët pa pranin e përfaqsuesave legal të shtetit të Kosovës?
- Pse nuk çarmatoset popullata civile sërbe në veri të Kosovës ?
- Pse nuk ndërhynë forcat e EULEX-it, por i lanë pikat kufitare të digjeshin nga teroristët sërb pa luftë?
- Pse u tërhoq qeveria e Kosovës nga vendimi për të marrë në dorë mbrojtjen e kufirit të Kosovës?
- Edhe sa kohë do lihen të lirë organizatorët e këtij akti terorist, kur dihet se janë struktura paralele të kontrolluara nga qeveria e Beogradit dhe nga rrjeti i krimit të organizuar lokal?
- Kush do përgjigjet për vrasjen e oficerit shqiptar dhe për dëmet materiale nga djegja e doganës?
Mund të vazhdojmë të shtrojmë pyetje pa mbarim, pasi shume enigma po na dalin. Sot Vetvendosja kërkoi shpalljen e gjëndjes së jashtzakonshme, pasi e vlerson situatën të tillë. Unë gjithashtu e mendoj të drejtë, që një rast të tillë qeveria dhe presidenca e Kosovës ta vlersojë si të jashtëzakonshme. Nuk do shumë hamëndje për rrjedhojat që mund të ketë degradimi i situatës, halli është se ne kuriozët dhe të shqetsuarit nuk dimë shumë gjëra.
- Çfarë po flitet në Këshillin e Sigurimit?
- Çfarë po kurdiset më tej nëpër koridoret e Bruxelit në kuriz të Kosovës?
- Vallë a di gjë qeveria dhe Hashim Thaçi, apo presin si kalamajt e kopshtit çfarë do u thotë edukatorja?
USA dhe Britania nuk deshën ta bëjnë sot këtë mbledhje por Këshilli vendosi. Kërkesa ishte e sërbëve, përkrahja u vjen nga Rusia dhe Kina. Dy vënde prosërbe që kontrollojnë Europën, mos e zgjatim më tej, rezultati dihet. Së pari, do gjejnë mënyrën që të justifikojnë terorizmin sërb dhe të nxjerin qeverinë tonë fajtore, se pse veproi pa i pyetur të gjithë më parë. Kuptohet se sipas kësaj llogjike, teroristat sërb, të mbështetur nga krimi i organizuar dhe qeveria e Beogradit, kanë të drejtë të veprojnë si duan pa pyetur njëri, veç shqiptarët nuk e kanë këtë të drejtë në vëndin e tyre. Mbrapsht po shkon puna.
Komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman Erhard Buhler, më në fund e shprehu zhgënjimin – sërbët nuk e mbajn fjalën! Po pse, nuk e paska ditur deri tani këtë punë? Sa luftra dhe genocide duhet të bëhen që ta kuptoj dhe ky gjeneral i shkretë këtë të vërtetë të gjatë. Hashimi tha se nuk ka kthim mbrapa, por me sa po shohim kthimi u krye tashmë, s’mbajti as një ditë – kujt me i besu? Ashtu gënjeu dhe në kuvënd kur i siguroi deputetët se nuk do ketë kompromis me sigurinë e shtetit dhe se tregu komercial me Serbinë është i mbyllur dhe reciprociteti është duke u zbatuar në përpikëri. Ndërkohë, njoftimet po na vijnë se mallrat sërbe po hyjnë nga Maqedonia dhe Mali i zi.
Pala serbe, nuk do gjë tjetër, veçse ka kërkuar që në këto dy vendkalime kufitare të jenë të pranishëm policë të Policisë së Kosovës vetëm të komunitetit serb si dhe pjesëtarë të misionit EULEX. Pra në kufirin me Sërbin të ketë vetëm polica sërb, se Eulexin se fut njëri në hesap, këtë e pam fare qartë këto ditë. Mirë e kanë, ndryshe mirupafshim tregu i Kosovës.
Qeveria Thaçi, është mbërthyer ngusht tani. Nga brënda presioni u rrit shumë, nga jashtë po ashtu por në sens të kundërt. Nga tja mbaj? Thaçi e ka provuar një herë këtë situatë në Rambuje, tani është edhe më e fortë. Në mvartësi të zgjidhjes që do marrë kjo situatë në veri të Kosovës, po skicohet dhe perspektiva e afërt apo e largët e kësaj qeverie dhe e partisë që e mbështet, PDK-së. Kjo punë do burra të fortë dhe të mënçur, se nuk të vjen dy herë rasti në dorë, varet si ta luash.
Bukuresht, 28.07.2011
http://www.kosovarimedia.com/home/aktual/analiza/5565-sa-shpejt-u-gezuam.html
———————————————————————
Ç’po na thotë Europa
BE po na e thotë hapur: “Duhet të kthehemi aty ku ishim…”
Pra Europës nuk i pëlqeu marrja nën kontroll e dy pikave kufitare nga policia e Kosovës, bile as embargoja e vënë nuk u pëlqeu. Haj të bisedojmë na thonë. Po tash dy vjet, që Sërbia i bën embargo mallrave kosovare, çfarë na zgjidhën bisedimet? Kur u blloku Kosova nga Sërbia, Europa tha ”haj bisedoni se po ju kqyr dhe unë”. Nuk i tha gjys llafi që të kthehet aty ku ishte. Kur u bllokoka Sërbia një ditë, hidhet përpjet BE-ja dhe po na kërkon të kthehemi aty ku ishim. Si ta kuptoj këtë kthim mbrapa, si njëfarë backup-i kur na virusohet windows-i. Të kthehemi, por nuk dimë ku të kthehemi? BE –ja thotë atje ku ishim. E ku ishim? Ku ishte Europa deri tani? Mos vall po na kërkon të kthehemi në kohën e para luftës?
Reciprociteti në mardhëniet ndërkombëtare është diçka normale dhe e aplikuar në tërë botën, prandaj mardhëniet Kosovë-Sërbi nuk kanë pse të bëjnë përjashtim. Sërbëve, po qe se nuk u shkon pas mides, ti vënë gishtin kokës dhe të kërkojnë zgjidhje tek vetja dhe tja heqin embargon që i kanë vënë Kosovës, e vetëm pas kësaj të kërkojë bisedime. Deri në atë moment, nuk kemi se çfarë të bisedojmë. Ky do jet qëndrimi më korekt i Qeverisë së Kosovës. Kontrolli i kufirit të veriut duhet të vendoset njëherë e përgjithmonë. Me bisedime, pa bisedime, kufiri të ruhet si sytë e ballit, nuk bën me ja lënë të tjerëve. Po u lëshua kjo pikë, e humbasim pamvarsinë për një kohë të pacaktuar dhe do jemi dependent të Europës ”tonë të dashur”, e cila nga ana e saj, do ket kujdes të mos i mërziten sërbët e vorfën.
Më duket se i ka ardhë vakti do punëve të mira me u bë. Fakti është se krejt opozita e përshëndeti këtë veprim të qeverisë, pra gjënë e mirë e pranojnë të gjithë. Kjo nuk është punë politike, por është çështje kombëtare, është vetmbrojtje. Këtu bashkohemi të gjithë sa jemi dhe kudo që jemi. Bëhet fjalë për një hap drejt pamvarsisë, drejt ndërtimit të independencës.
Cili do jet hapi tjetër ?
Embargoja e vendosur ka mërzitur plot njerëz, disa nga ata dhe shqiptarë qofshin, që përfitonin nga situata. Nga ana tjetër ajo na gëzoi të gjithëve, pasi më në fund i treguam edhe ne dhëmbët ujkut. Avantazhet e saj do ndihen shpejt në Kosovë, në Maqedoni dhe në Shqipëri. Do vendoset një rënditje e re. Shkëputen lidhjet e vjetra me Sërbinë dhe do vendosen lidhjet e reja nga krahu tjetër. Ky është hapi parë me rëndësi për nga ana e zhvillimit ekonomik dhe e krijimit të hapsirës ekonomike shqiptare. Riorientimi i tregut kosovar drejt tregut shqiptar të Shqipërisë apo Maqedonisë do japi si rezultat ritjen e prodhimit të vëndit dhe të aktivitetit tregtar autohton. Nga ana tjetër duke ndaluar kontrabandën sërbe, do rriten të ardhurat në buxhetin e Kosovës.
Bisedime do bëhen, por tani qeveria e Prishtinës duhet të ket kujdes të mos e humbi ”topin nga dora”, pra kushtet tani i vendosim ne. Këtu kërkohet mënçuri, largëpamsi, profesionalizëm dhe shumë patriotizëm. Kthimit mbrapa ”i vdiq nëna”, nuk ka pse bëhet, kush të dojë ta thotë. Duhet me ecë përpara duke u nisur nga kushtet e reja të krijuara. Pra tani ka ndruar baza e nisjes. Kur ta kuptojë Sërbia se po humb përgjithmon tregun e Kosovës do i thirri mëndjes. Ka dy variante këtu – o të vazhdojë me budallallëkun e vet, të mosnjohjes së shtetit të Kosovës dhe e ka humb këtë treg, ose ta njoh këtë shtet dhe fqinjë të re dhe të gëzoj dhe të mirat e fqinjësisë së mirë. Dmth marrdhënie të regullta tregtare me interes reciprok siç ka me tërë shtetet e tjera të Europës.
Unë nuk e kuptoj se pse ndërhyn BE-ja në këtë punë, ku është interesi i saj? Besoj se ka ardh koha që me marifet me ja tregu pak vëndin dhe asaj që po na kërkon të kthehemi mbrapa.
Bukuresht,26.07.2011
http://www.kosovarimedia.com/home/aktual/opinione/5540-cpo-na-thote-europa.html
—————————————————————
Si mund të keqinterpretohet dhe deformohet historia
Në revistën KosovA tek AlbEmigrant dhe DRINI është botuar një shkrim i Paul Tedeschini: Perëndimi dhe shqetësimet e ballkanasve. U bëra kurioz dhe kërkova në internet se kush ishte ky autor. Gjeta që ” Paul Tedeschini is an actor (ACTRA), musician (SOCAN), composer and engineer. Paul has been creating and mixing music for film, TV, theatre and dance since …”. A thua që ky personazh kanadez nga Toronto të jetë shqiptar? Për nga emri nuk duket, por ja çfar gjeta më tej në internet: ”Paul Tedeschini është një gomar shumëfytyrësh prej Shkodre(?!)” thotë Ilir Dardani në shkrimin e tij ”Laperit Paul Tedeschini”, publikuar në Zëmrashqiptare. Nga italishtja, mbiemri i tij mund të përkthehet me diminutivin e fjalës tedesco – gjermani. Nejse pak më intereson autori, më tepër desha të shtjelloj disa ide që më lindën gjatë leximit të shkrimit të tij.
Në këtë shkrim ai po merr përsipër me na shpjegu se përse shteti rumun nuk po na njeh independencën e Kosovës, ”arsyet nuk mund të kuptohen pa pasë parasyshë historinë e Ballkanit” – thotë autori. Pra, sipas tij, qëndrimi rumun ndaj pamvarsisë së Kosovës nuk qënka politik, rrjedhoj e konjukturës rajonale, por është një rrjedhoj e historisë. Shumë bukur, haj ta shohim si na e shpjegon këtë. Mesa di unë, kur do të fshehish diçka, e fillon me historinë, ose me historitë ta themi më mirë, pasi gjithmonë egzistojnë më tepër se një histori për të njëjtën ngjarje.
Sipas këtij autori, rrënjët e qëndrimit rumun i gjejmë në historinë e Ballkanit të periudhës së Perandoris Osmane, pasi historia para ose pas saj nuk vlen. Për shëmbull, periudha bizantine, kur ndodhën dyndjet aziatike të avarëve, hunëve etj., në Ballkan, nuk kanë kurfarë rëndësie për të. Po kështu dhe periudha antike, trako-ilire, helene, romake, gjithashtu nuk përfaqsojnë kurgjë për të. Autori, për të na i argumentuar konkluzionet e tij, bën disa pohime të çuditëshme, vështirë të besueshme. Haj ti shohim me rradhë se ku e bazon ai teorinë e tij.
Shqiptarët janë nji popull në vedi dhe nuk kan asnji lidhje me sllavët dhe me grekët – bravo, ashtu them dhe unë, është popull i veçant. Veçse kjo veçanti e tij qëndron në autohtoninë dhe pastërtinë e tij, kur dihet se sërbët janë avarë (shek.VI) të përzjerë me ilirët autohtonë në periudhën mesjetare. Të cilët gjuhën sllave e mësuan më vonë, pasi e shpiku Metodi dhe Kirili (murgjër të shek.IX) dhe i ndihmoi kisha ortodokse ta mësonin pas skizmës së madhe. Grekët janë akoma më të vonuar, u formuan në shekullin e XIX në kurriz të shqiptarëve dhe vllehve, kurse gjuhën e shpikur po në shek.IX, e mësuan në shekullin e XX, pasi kjo u bë gjuhë zyrtare në Greqi, kuptohet me ndihmën e patriarhisë. Se sa kanë lidhje këto popuj me shqiptarët, besoj se e merrni me mënd. Lidhja e tyre qëndron jo vetëm në origjinën e tyre, por dhe në përpjekjet dyqind vjeçare të tyre për të grabitur tokat tona duke bërë spastrimet e rastit, sa herë kanë mundur. Përpjekjen e fundit e bëri Millosheviçi në 1999-tën. I ka lidhur lufta ndër shekuj mund të themi, prandaj duket i vogël sot populli ynë. Thashë duket, se në fakt nuk është i tillë, bile po ta shohim hollë punën, del populli më i madh në këtë nahije të Ballkanit. Siç duket autori nuk është nga anët tona, bile nuk duhet të jetë fare nga ky kontinet i mplakur me halle, pasi nuk patur fare kontakt dhe nuk di gjë për ngjashmërinë e folklorit, etnografisë dhe gjuhëve të kësaj zone.
Më tej na shpjegon – barra e madhe e rezistencës ndaj pushtuesit aziatik turk rà kështu krejtësisht mbi të gjithë popujt sllavë të Ballkanit të mbështetun nga Rusia,mbi popullin grek,si dhe mbi popullin e vogël shqiptar. Eee, këtu kemi krijimtari të pastër. Ky shkrimtar s’paska lexuar ndonjë statistikë në jetën e tij, pa lej pastaj ndonjë studim demografik. Dihet se Ballkani me mijra vjet ka qënë i banuar nga iliro-trakët. Që kur dolën shqiptarët populli më i vogël nga të gjithë? Në këtë kontekst, ai do të na thotë se shqiptarët e ”pakët” nuk ngrenë peshë, janë të parëndësishëm për historinë e asaj periudhe. Peshë kanë ”sllavët” jo sllavë dhe ”grekrit” jo grekë. Ai haron ose nuk e di hiç, historinë e Skënderbeut. Eleminon luftrat e princërve dhe pashallarve shqiptarë apo rumunë kundra perandorisë. Kur bëhej lufta e famshme e Fush-Kosovës 1398, më shumë sërb kishte ushtria turke se ajo e kualicionit Ballkanik, thotë Kadareja në një replik gjetë viteve 90-të. Sulltan Muratin e vrau një trim shqiptar në atë luftë. Më vonë, kur Janku de Hunedoara me Skënderbeun u vunë përball Sulltanit, Krajli i Sërbisë bëri krushqi dhe u bë vjehri i tij. Si aleat i turqve ai e arestoi Jankun e shkret, i cili vdiq në burgun e Beogradit.
Kush nga popujt sllavë paska bërë rezistencë ndaj pushtuesit aziatik. Unë njoh nga historia mjaft princër dhe pashallarë shqiptarë që kanë luftuar kundra sulltanit. Kështu mund të përmënd Karamahmut Pashë Bushatin, Ali Pash Tepelenën, Muhamet Ali Pashën, Vaso Pashën e deri tek Bajram Curri. Po kështu di princër rumunë si Mircea Cel Bëtrën, Stefan Cel Mare, Vllad Cepesh etj. që kanë luftuar me turqit, po nuk di asnjë sllav të till. Siç duket autori i referohet luftës Ruso-Turke të shek.XIX. Po ajo nuk ka ndodhur në Ballkan. Ishte pikërish ky moment kur rusët shpallën teorin fallco të pansllavizmit duke kooptuar gjithë popujt sllavofonë josllavë të Ballkanit. Kjo tragji-komedi politike vazhdon të luhet akoma në disa qarqe politike të Europës.
Përsa i përket rezistencës së popullit ”grek”, këtë sot po e mësoj. Se shkrimet e kohës tregojnë se shqiptaro-
epirioto-arvanitasit i dhanë pamvarsinë greqisë. Në një gazet franceze të vitit 1821, ku përshkruhet lufta për pamvarsinë e Greqisë, çfaqet poza e Bubulinës me shqiptarët e saj, të paisur me pushkën e gjatë shqiptare, ku shkruhet diçitura Zhan D’Arc albanaise.
Nga mesi i shkrimit kalon në akuza të hapura ndaj krejt shqiptarve – shumë krenë shqiptarë per të ruejt privilegjet e veta ekonomike dhe komanduese u njisuen qysh në fillim në mentalitet dhe në botëkuptim me pushtuesin e mbrapambetun aziatik turk dhe mjerisht u banë “nji” me pushtuesin turk tue u ba renegatë ose siç quhen sot Kuislingë, bashkëpuntorë të pushtuesit. Gjatë pesë shekujve të pushtimit turk renegatët shqiptarë,pashallarë,vezirë dhe komandantë të ushtrisë turke,banë masakra kudo që ushtria turke luftonte në Ballkan dhe jashtë tij.
Me këtë parullë u masakruan çamërit dhe kosovarët dhe gjatë luftës së dytë botërore. Zerva me Cetnikët sërb ishin aleatët e deklaruar të gjermanëve, me dokumenta, por pas lufte pikërisht ata akuzuan shqiptarët. Kështu dhe në kohën e perandorisë osmane, krahu i djatht i Sulltanit ishte Patriarhia e Fanarit, e cila gëzoi tërë privilegjet e mundëshme, gjatë gjithë kohës. Në atë kohë e vetmja gjuhë e ndaluar ishte gjuha shqipe. Në fermanin e Sulltan Hamitit, pak para se të shëmbej perandoria, thuhej qartë, të digjesh çdo gjë e shkruar shqip.
Në oborin e Sulltanit rriteshin bijtë e princave të Ballkanit të marrë peng. Kur bëheshin madhor merrnin dhe ofiqe. Ndër ta kishte dhe shqiptar fillimisht. Më tej, zyrtarët turq me origjin shqiptare, nuk kishin fare të bënin me Shqipërinë apo popullin shqiptar. Përndryshe Shqipëria nuk dilte nga ajo periudhë 500 vjeçare aq e varfër dhe aq e prapambetur. Praktikisht në atë periudhë u rënuan të gjitha kështjellat shqiptare dhe nuk u bë as edhe një investim. Herë pas here, në periudhat e revoltave të ndryshme, vinte ushtria turke dhe rafshonte çfarë gjente. Vetëm malet e Shqiprisë nuk mundën ti rafshonin, siç nu mundën as popullin shqiptar ta shbënin.
Për krahasim, sot mund të marrim personalitetet politike të Greqisë që kanë origjinë shqiptare, të cilët nuk lënë gjë pa bërë për VorioEpirin. Një ditë duke dëgjuar lajmet, shihja Papandreun. Në mëndje bëra ndarjen Papa-Ndreu. Një grek smund të ketë emër Ndreu, që është emër katolik nga veriu i Shqipërisë. Me njëherë mu kujtua historia e themelimit të Athinës në shek.X, e cila u ngrit nga 15000 familje shqiptare të marra nga veriu i Shqipërisë dhe ngritën lagjen Plaka të Athinës. Ardhja e tyre u bë me dekret të perandorit Bizantin, mbi bazën e kërkesës së princit të vëndit, i cili nuk mbrohej dot nga dyndjet e Venedikasve në ato kohë. Por sa shqiptar është ky pasardhës i largët i familjes Ndreu dhe a e di ai origjinën e emrit të familjes së tij? Me siguri që jo. Ai ndihet grek safi dhe për këtë i lufton shqiptarët gjithandej. Mos hyj në origjinën e Milloshit se nuk e di se ku do dali. Kështu janë punët tona këtej nga Ballkani, të ngatëruara dhe të pazgjidhura. Si rezultat, me gjithë atë, që u munduan të na zhduknin si popull, as Shqipërinë, as Kosovën dhe as Çamërinë nuk e zhdukën dot.
Ja si i justifikon ky farë autori masakrat kundër shqiptarëve – kjo asht arsyeja e vërtetë – thotë ai – që kur Perandoria Osmane u dobësue dhe për pasojë u dobësue edhe forca e krenve renegatë shqiptarë aleatë të Turqisë,popujt e Ballkanit,gjatë luftës kundër Perandorisë turke për çlirimin e vendeve të tyne nga robnia, banë masakra kundër shqiptarëve. Gjeniale !
Si duket, se ka haberin se kush luftoi dhe me kë luftoi në luftën e parë e të dytë Ballkanike. Sërbi u kacafyt me Bullgarin për tokat shqiptare (Shkup – Kumanovë), Greku u përplas me Italinë në Gjirokastër, për jugun e Shqipërisë. Po kështu, Francezi luftoi me Grekët për Korçën. Pra të gjitha këto shtete i shpallën luftë njëra tjetrës për tokat tona dhe asnjëra nuk ishte në luftë me shqiptarët, për një arsye të thjeshtë, ne nuk kishim shtet. Shqiptarët luftuan sa mundën për të shpëtuar familjet e tyre nga genocidi i gjithanshëm.
Kur sërbo-malazezët sulmuan Shkodrën, garnizoni turk morri urdhër mos dilte dhe ti linte shqiptarët të masakroheshin. Tmeret e asaj lufte i përshkruan me detajet më të holla dëshimtarja e kohës Edit Durhani. Genocidin sërb në tokat shqiptare i pa vetë Trocki me sytë e tij si gazetar, kur vajti në zonën e luftës Shkup-Kumanovë (shih Pravda 1912). Pra shqiptarët i masakruan qëllimet shoviniste të shteteve fqinje dhe indiferenca e fuqive të mëdha, të cilat bënin pazare nëpër sallone në kurriz të popullit tonë. Kjo është e vërteta që duan ta fshehin sot dhe na vjen sot ky farë papagalli i tyre dhe na tregon historira të stisura me sllogane sërbo-greke.
Helmin propagdistik, Paul Tedeschini, e vjell në fund kur duke bërë paralelizëm me tërheqjen e perandoris osmane nga tokat shqiptare – të njejtën tërheqje mund ta bajnë neser amerikanët edhe nga Kosova. Po çka do të lanë ato mbrapa në Kosovën e pasigurtë nga islam-terrorizmi ?!? Pikërisht për këto arsye shtetet ballkanike, ndër ta edhe Rumania, të cilat për pesë shekuj rresht i kanë pasë në shpinë turqit dhe veglat e tyne, kanë plotësisht të drejtë të merakosen për sigurinë e ardhshme të vet.
Këtu del qëllimi i gjithë këtij shkrimi analitiko-pseudohistorik. Ai në pamje të parë duket sikur do të justifikojë qëndrimin e shtetit rumun, por në fakt qëllimi i tij i vërtet, i fshehur në nëntekst, është të justifikojë genocidin sërb. Sipas tij, populli shqiptar e ka merituar të masakrohet për një shekull të tërë dhe nuk ka më të drejtë të egzistojë. Duke u nisur nga gabimet gramatikore dhe niveli i ulët gjuhësor i shkrimit, dyshoj se autori në fakt nuk është shqiptar. Ka gjasa të jetë një sërb që del me ketë pseudonim, i cili ka mësuar shqipen për ta përdorur kundra shqiptarve.
Për mendimin tim propagandës sërbe nuk i duhet lënë hapsirë në shtypin shqiptar, qoftë ky dhe në faqet elektronike. Ajo duhet të demaskohet me çdo kusht, për të nxjerr të vërtetën e qëllimeve të errëta të saj.
Bukuresht,24.07.2011
———————————————————-
E pavdekshme do mbetet vepra e rilindasve tane
Nga fundi i dhjetorit 1922 në Junik u mbajt mbledhja e komandantëve më të njohur të çetave të Kosovës dhe të malësive, ku u vendos të pregatitej një sulm tjetër kundër forcave qeveritare në prefekturën e Kosovës (Kukësit) dhe, më vonë, të ngriheshin edhe krahinat tjera të Shqipërisë. Përpara nisjes për veprim,tek vendi i quajtur ”Verrat e Gjocës”, Hasan Prishtina u mbajti një fjalim të zjarrtë 1200 kryengritësve, ku ndër të tjera tha:
”- Vllazën! Kërkojnë prej nesh që atdheun ta trajtojmë si mall tregu. Jo kurrë! Si dje, sot, nesër e përherë atdheu ka qenë dhe ashtu gjaja më e shejtë për ne. Të gjithë ta dinë se na nuk jena tue luftue kundër Shqipnisë e shqiptarëve, por për një Shqipni të lirë e të bashkueme. Nuk kemi dalë maleve me shpëtua vetëm një shtëpi, katund apo fis, po të tanë Kosovën, e cila mbështjell në gjinin e vet krejt vllaznit, qytetet e katundet tona. Ideja dhe parulla jonë ka qenë dhe asht: çlirimi e bashkimi i tanë Kosovës me atdheun tonë të përbashkët Shqipninë. Dhe për ta realizue këtë duhet veprim e jo fjalë, bashkim e jo përçamje, trimni e jo frikë. Na kurrë s’kemi kujtue se lirinë ka me na e sjellë dikush së jashtmi. Jo, një mijë herë jo! Atë e kemi fitue dhe do ta fitojmë me gjakun tonë, sepse vetëm kështu ajo mund të jetë liri e vërtetë. Vetëm pushka jonë e jo dikush tjetër ka detyrua e do të detyroj armiqtë të lëshojnë nga duartë gërshanët, me të cilat duen të qethin copa të tjera nga trupi i atdheut tonë. E dijmë se anmiku është më i shumtë në numër, më i armatosur me armë dhe më i pasun me pare. Kështu ka qenë dje, kështu asht edhe sot. Por kjo as nuk na tremb, as nuk na përkul, përkundrazi kjo kërkon që na të jemi ma të fortë. Të peshojmë mundësit tona me guxim e mendje të kthjellët. Ne nuk e zvoglojmë rrezikun, në të kundërt ne u themi luftëtarëve se rreziku është i madh, prandaj bashkoni radhët, tregoni vendosmëni e guxim, flakni tutje burracakët, që mbjellin përçamje e frikë, përbuzni ata që çirren tue na këshillue të dorëzohemi sepse gjoja do të shuhemi.
Vllazën! Asht e vërtetë se një gabim taktik gjatë luftës mund të sjellë që kjo apo ajo çetë të thyhet përkohësisht, por kjo s’ka aq rëndësi për fundin e luftës. Politika e dorëzimit, e pritjes apo e kundërshtimit të aksionit kurrë nuk të çonë në fitore. Kush ka frikë ka me vete humbjen, kush qëndron i patundun ka me vete fitoren. Liri pa gjak nuk ka.”
shen P.D. :
Nese ne sot gezojme Shqiperine, eshte merite e atyre burrave qe vune gjithshka ne sherbim te ceshtjes kombetare. Nje nga ata ishte Hasan Prishtina, luftetar i paepur, ideator dhe komandant, qe i dedikoj jeten per shqiptarizem. Mos i harrojme kure mesimet e tij.
————————————————————-
Ne se doni te kuptoni se cfare po ndodh ne Kosove dhe cfare fshihet ne kuliset e diplomacive, dhe si trajtohet Kosova ne negociatat e vendeve europiane, ju rekomandoj materialin e meposhtem, ku keto jane pare me syrin vigjilent te Adem Demacit, mbrojtesit me te vendosur te interesave tona kombetare.
Analizë që duhet rilexuar!
EKSPERIMENTI POLITIK NDËKOMBËTAR ME KOSOVËN
Shkruan: Adem DEMAÇI
Prishtinë, 3 maj 2004
Analiza të ftohta mbi tema të nxehta
Çështja e Kosovës, pikërisht në këto kohëra të vështira, meriton një analizë paksa më të zgjeruar e më të thelluar. Sepse procesi i marrjes me Kosovën, të shumë faktorëve të afërt e të largët, ka histori të gjatë dhe ka filluar para gati një shekulli. Ky proces, që merret me përcaktimin e fatit politik të Kosovës, po vazhdon pa u ndalur. Në këtë proces të gjatë e të mundimshëm shqiptarët u munduan që të mbroheshin nga pushtimet, asimilimet dhe çfarosja, ndërsa, në anën tjetër, regjimet serbe bënë çmos për të pushtuar dhe për të serbizuar Kosovën duke mos ngurruar edhe nga eliminimi fizik i shqiptarëve nga Kosova me të gjitha mjetet e mundshme. Pas Marrëveshjes së padukshme të Rambujesë, Marrëveshja Ushtarake – teknike e Kumanovës midis Forcave të NATO-s dhe Forcave Ushtarake të (Jugosllavisë) Serbisë, ku UÇK-ja nuk u ftua të nënshkruante për ata që kishin sy e donin të shihnin, ishte hapi i parë i dukshëm drejt imponimit të statusit autonom politik për Kosovën nën Serbi.
- Hapi i dytë i dukshëm i imponimit të statusit autonom politik për Kosovën nën Serbi, ishte Rezoluta 1244 e KS të OKB-së. Aty është shumë qartë e shkruar se Kosova njihet si territor nën sovranitetin e integritetin e Jugosllavisë (Serbisë), sikundër që ishte e është e shkruar në Marrëveshjen e Rambujesë.
- Hapi i tretë i dukshëm i imponimit të statusit autonom politik për Kosovën nën Serbi, ashtu si shkruante edhe në Marrëveshjen e Rambuje-Parisit dhe në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit ishte demobilizimi i UÇK-së dhe shndërrimi i saj në organizatë civile nën emrin Trupat Mbrojtëse të Kosovës.
– Hapi i katërt i dukshëm, në përcaktimin e statusit autonom politik për Kosovën nën Serbi, ishte ndërtimi, funksionet dhe autorizimet fort të kufizuara të Shërbimit Policor të Kosovës. Me autorizimet jo krejt të plota as në trafik, ky shërbim mbeti shumë larg asaj çka i duhej dhe që i duhet Kosovës me një mijë probleme në fushën e sigurisë qytetare. Ky shërbim ka numër mjaft të madh kuadrash, por po tregon efikasitet fort të vogël. Sepse kësaj policie nuk i lejohet, sepse nuk i besohet, që të krijojë rrjet të gjerë e të fortë informimi nga qytetarët. Dhe, pa këtë, ky shërbim mbetet forcë vetëm në sipërfaqe të shoqërisë dhe pa informata të thella, të shpejta e të sakta, falë të cilave do të parandalonte e do të zbulonte bartësit e të gjitha llojeve të krimeve që kanë vërshuar Kosovën. Këtij shërbimi nuk i njihen kompetencat esenciale të vendimmarrjes dhe të komandimit të pavarur.
- Hapi i pestë i dukshëm, në imponimin e statusit autonom politik për Kosovën nën Serbi, është Shërbimi gjyqësor i Kosovës. Me dhjetëra mijëra lëndë gjyqësore që kanë marrë formën e përfunduar juridike kanë mbetur të paekzekutuara. Sepse shërbimi ekzekutues i gjyqësisë kosovare ka mbetur i pakonsoliduar. Në gjyqe dominojnë dhe fjalën e fundit e kanë kuadrot e sjellura nga jashtë dhe mjafton të shfletohen disa botime të dala nga institucioni i Ombudspersonit që të shihet se çfarë ka ndodhur e çfarë po ndodhë me gjyqësinë kosovare. Dhe, kur të dihet se gjyqtarët dhe prokurorët e jashtëm janë mbi ligjet e Kosovës, atëherë s’ka çfarë të thuhet më shumë për këtë shërbim tejet të rëndësishëm.
- Hapi i gjashtë i dukshëm, në imponimin e statusit autonom politik për Kosovën nën Serbi, janë edhe marrëdhëniet e pamundshme diplomatike të Kosovës me botën. Ka përpjekje që kjo të kamuflohet me disa premtime e propozime, por të gjitha ato nuk janë ato çfarë i duhen Kosovës. Kosovarët nuk kanë leje as të informojnë zyrtarisht botën për të vërtetën e Kosovës, as të marrin pjesë në takimet ku bëhet fjalë për Kosovën, as të mbrohen nga shpifjet dhe manipulimet e shërbimit diplomatik serb. Sepse, Kosova, sipas Marrëveshjes së Rambuje-Parisit dhe Rezolutës 1244 nuk është shtet, as nuk guxon të bëhet shtet.
- Hapi i shtatë i dukshëm, i imponimit të statusit autonom politik për Kosovës nën Serbi, është mosekzistimi i kufijve shtetëror midis Kosovës dhe Unionit Serbi-Mali i Zi. Ekonomia e Kosovës është fare e pambrojtur nga depërtimi i të gjitha llojeve të mallrave të paçertifikuara e të pakontrolluara nga Serbia dhe nga të katër anët e botës. Në këtë mënyrë edhe destimulohet prodhimtaria e vendit deri në përmasa të tejme.
- Hapi i tetë i dukshëm, i imponimit të statusit autonom politik për Kosovën nën Serbi, ishte dhe është e drejta e partive të Serbisë që të mund të organizojnë e zhvillojnë zgjedhjet e tyre edhe në territorin e Kosovës. Kjo, besoj se është aq e tejdukshme, aq e prekshme, aq therrëse saqë s’ka nevojë për ndonjë koment.
- Hapi i nëntë i dukshëm janë të drejtat e shumta të rezervuara për të dërguarin special të OKB-së. Ai ka të drejtë vetoje për çdo vendim që mund të merret nga vendorët e që ai e konsideron në kundërshtim me Rezolutën 1244. Ai ka të drejtë të shpërndajë edhe Kuvendin e Kosovës nëse nuk i bindet. Ja, vetëm para disa ditësh, u bë e ditur se Këshilli i Sigurimit, me kërkesën e të dërguarit special të për Kosovën, ka vendosur që në Kosovë të votohet sipas listave të mbyllura. Edhe kjo, besoj nuk ka nevojë për ndonjë koment të gjatë. Në Kosovë ndërtohet demokracia me metodën më jodemokratike të votimit. Me lista të mbyllura, për në Kuvendin në “saksi” të Kosovës, (shpër)blehen e favorizohen liderët e dëgjueshëm të partive, kurse këta të fundit (shpër)blejnë e favorizojnë ithtarët e vet të dëgjueshëm duke u ndarë poste e kolltuqe.
- Hapi i dhjetë i dukshëm, i imponimit të statusit autonom politik për Kosovën nën Serbi, ishte dhe është pengesa që Kosova të ketë kodin e vet të telefonisë fikse dhe të jetë pronare e vërtetë e hapësirës telefonike edhe për telefonat celularë. Dihet nga të gjithë që, edhe sot e kësaj dite, telefonia fikse e Kosovës është e lidhur me botën vetëm përmes kodit të ish-Jugosllavisë të cilin e ka trashëguar Serbia. Kjo po ndodhë edhe me kodin bankar-financiar të Kosovës i cili detyrimisht po lidhet me kodin financiar të Serbisë. Gjithashtu, targat e automjeteve me regjistrim të Serbisë dhe të Malit të Zi kanë qasje të lirë në territorin e Kosovës, ndërsa automjetet me targat kosovare nuk lejohet që të kalojnë në territorin e Serbisë.
- Hapi i njëmbëdhjetë i dukshëm, i imponimit të statusit autonom politik për Kosovën nën Serbi, ishte dhe është Korniza e Përkohshme Kushtetuese e Kosovës me të cilën u formuluan juridikisht të gjitha padrejtësitë që u ushtruan dhe që po ushtrohen mbi Kosovën dhe kosovarët.
- Hapi i dymbëdhjetë i dukshëm ishte dhe është ngritja e një mekanizmi të quajtur Agjensia Kosovare e Mirëbesimit e cila ka të gjitha të drejtat për privatizim dhe që disponon me të gjitha pasuritë shoqërore e shtetërore të Kosovës në mënyrë kriminale. Dhe pas të gjitha këtyre argumenteve të lodhshme që u numëruan, është fare lehtë të kuptohet se çfarë, në të vërtetë, ishte strategjia e roli i administrimit të UNMIK-ut mbi Kosovën. Të gjitha këto rrethana, që u numëruan dhe që nuk u numëruan më lart, janë trajtim i Kosovës dhe kosovarëve në frymën e adaptimit dhe, hap pas hapi e dalngadalë, të pajtimit të tyre me statusin autonom nën Serbi. Pra, strategjia e UNMIK-ut ishte dhe është që Kosova e kosovarët të vihen para aktit të kryer të autonomisë nën Serbinë. Dhe, prandaj, para se Kosova të pavarësohet, standardet, të quajtura parime të mrekullueshme dhe thellësisht humane, nuk mund të implementohen. Nuk mund të implementohen sepse nuk janë krijuar parakushtet reale, konkrete, objektive për implementimin e tyre. Dhe fajin për këtë nuk e kanë as qytetarët e Kosovës, as shqiptarët si shumicë dërmuese, por fajin e kanë ata që sajojnë projekte që janë në kundërshtim me ligjet e jetës; fajin e kanë UNMIK-u, KFOR-i, Kushneri, Hakerupi, Shtajneri e deri dje Holkeri që u munduan të implementonin detyra duke pasur në duar vetëm instrumentet e dhunës e të trysnisë dhe duke mos përfillur vullnetin politik të shumicës dërrmuese të qytetarëve të Kosovës. Fajin e kanë liderët e gjorë, jokurrizor e formalë të Kosovës që marrin përsipër realizimin ose implementimin e standardeve që synojnë krijimin e një shoqërie ligjore pa i pasur ligjet në duart e veta; që marrin përsipër implementimin e standardeve pa pasur në duart e tyre mekanizmin që i rregullon ato. Ato që u thanë më lart ishin vetëm krijimi i rrethanave të jashtme politike e ndërkombëtare për rikthimin e Kosovës nën shtetin e Serbisë. Mirëpo, për të arritur këtë qëllim, duhet të ndryshohen edhe rrethanat e brendshme. Dhe projekti për të ndryshuar rrethanat e brendshme kosovare është PISK-u, përkatësisht, Plani për Implementimin e Standardeve për Kosovën para se të shqyrtohet statusi politik i Kosovës.
Përse PISK-u para se të hapet shqyrtimi i statusit politik të Kosovës? Sepse statusi politik i Kosovës është përcaktuar me kohë, me Marrëveshjen e Rambuje-Parisit midis katër shqiptarëve të Kosovës dhe ndërkombëtarëve (pa Rusinë). Sepse, Statusi politik i Kosovës është përcaktuar me Rezolutën 1244 të KS OKB-së. Prandaj edhe u shpik standardet para statusit. Sepse, në rrethanat e krijuara në Kosovë, kur i tërë pushteti, realisht e faktikisht është në duart e ndërkombëtarëve, kur kosovarët faktikisht e realisht kanë vetëm pushtet formal, standardet e mrekullueshme evropiane nuk mund të implementohen në Kosovë. Sepse, nuk ka kush t’i implementojë. Sepse, shqiptarët si shumicë dërmuese, me masat që janë marrë, janë të penguar për ta bërë një gjë të tillë dhe pa shqiptarët nuk kanë si të implementohen standardet.
Ja, pika e parë e standardeve:
“Institucionet publike duhet të jenë përfaqësuese e demokratike”. Fare mirë, por si do të jenë institucionet demokratike e përfaqësuese kur ato nuk zgjedhen me lista të hapura, por me lista të mbyllura?
Pastaj, pika tjetër:
“Sundimi i ligjit është efikas dhe respektohet nga të gjithë”. Ligji është dhe mund të jetë efikas vetëm kur respektohet nga të gjithë. Por, ai, ligji, do të respektohet nga të gjithë nëse ai shpreh vullnetin e të gjithëve dhe nxirret sipas vullnetit e dëshirës së të gjithëve. Dhe, të gjithë e dinë se si nxiren ligjet e Kosovës.
Pika e tretë e standardeve:
“Të zhvendosurit të kenë të drejtë të kthehen nëse duan pa u penguar, kërcënuar e frikësuar”. Më mirë s’ka si të jetë! Por, kush po e shkel këtë të drejtë të shenjtë e humanetë të zhvendosurve që të kthehen në shtëpitë, në banesat dhe tokat e veta? Tash pesë vjet, dy mijë e sa familje shqiptare e boshnjake të dëbuara nga Mitrovica e veriut nuk lejohen që të kthehen në banesat, në shtëpitë dhe në trojet e veta! Kush i dëboi dhe kush nuk i lejon që ata të kthehen, përveçse bandave serbe.
Pika e katërt:
“Të gjithë individët, pavarësisht nga përkatësia etnike, të mund të udhëtojnë e të punojnë të sigurt dhe të mund të përdorin gjuhët e tyre gjithkund dhe në secilin institucion të Kosovës”. Më mirë s’ka si të formulohet edhe kjo e drejtë elementare njerëzore, kombëtare e etnike. A mund të shkonin shqiptarët, boshnjakët e turqit lirisht në Mirovicën e veriut? Jo. Po a mund të lëviznin serbët nga Mitrovica e veriut në Mitrovicën e jugut? Po. A lëviznin serbët lirisht nëpër qytetet tjera të Kosovës? Po, lëviznin edhe në Prishtinë edhe në Fushë Kosovë edhe në Obiliq edhe në Prizren edhe në Gjilan edhe në Viti edhe në Kamenicë e le të mos flasim për Shtërpce, Graçanicë e Çagllavicë. Këtë balancë e prish vetëm regjimi serb me trabantët e vet.
Pika e pestë kërkon:
“Një kornizë për një ekonomi funksionale tregu”. Dhe, ç’bëri UNMIK-u për këto pesë vjet që të krijohet kjo “kornizë e kërkuar ekonomike”? Fare pak. Aq pak sa që edhe pas pesë vjetësh Kosova nuk mund të furnizohet me energji stabile e të mjaftueshme elektrike nga burimet e vendit. Po çfarë do të ndodhë me synimin e zhvillimit të domosdoshëm të mëtutjeshëm ekonomik të Kosovës pa energji të mjaftueshme e pa ujë të mjaftueshëm? Por, qëllimi i strategëve të rikthimit të Kosovës nën pushtetin e Serbisë pikërisht edhe është që Kosovën ta bëjnë sa më të varur nga importet nga Serbia. Ja, para pak ditësh u publikua raporti zyrtar i Bankës Botërore, i një institucioni autoritativ e neutral, nën titullin “Memorandumi ekonomik mbi Kosovën” në të cilin sillen të dhëna tmerruese. 52% e kosovarëve jetojnë në kufijt e varfërisë; 15% prej tyre posedojnë më pak se një euro në ditë, që konsiderohet tejkalim i varfërisë ektreme; rreth 37% e popullatës së Kosovës jetojnë me 1,42 euro në ditë që konsiderohet si varfëri klasike.Kurse bilanci i pagesave të Kosovës ka rezultuar si katastrofik: vetëm 4% e importit të Kosovës është mbuluar me eksport, që nënkuptohet se Kosova kishte bilanc negativ tregtar me botën në shkallë prej 96%! Nuk besoj se mund të gjindet edhe një shembull i kësaj natyre në hapësirën evroaziatike.
Sipas disa informatave, që nuk kanë përse të jenë të trilluara, 80 për qind të mallrave kryesore që shpenzohen në Kosovë kanë prejardhjen nga Serbia dhe shumica prej tyre kalojnë rrugëve sekondare e terciare dhe nuk certifikohen e nuk kontrollohen fare. Ndërsa vetë Kosova, memzi arrinë që nevojat e veta ushqimore, nga burime vendore, t’i plotësojë vetëm me 15%. Dhe, s’ka si të jetë ndryshe derisa më shumë se gjysma e sipërfaqeve të tokave bujqësore, arave e kullosave, ngelen ende të pa shfrytëzuara. Argumenti më i pikëllueshëm është se UNMIK-u me “katër shtyllat” e veta të famshme, për pesë vjet sundimi në Kosovë, lejoi që papunësia në Kosovë të arrijë shkallë rekorde në hapësirat evroaziatke duke kaluar shifrën prej 60 për qind të tëpapunëve ndër ata që janë të aftë për punë. UNMIK-u është ai që po e bën të mundur që privatizimi, në një Kosovë me një ekonomi në fund të pusit, të zvarritet deri në kufijt e sabotimit. UNMIK-u, bashkë me Beogradin, po i bën të mundura “lojrat” e AKM-së me fatin e ekonomisë kosovare. Pra, ajo kornizë e dëshiruar ekonomike, për një zhvillim të mbarë e të shpejtë të ekonomisë kosovare, nuk mund të ndërtohet duke u hapur rrugën hileve të shtetit serb në kurriz të Kosovës. Dhe, këtë rrugë mund ta mbyllin vetëm ata që e kanë hapur.
Pika e gjashtë merret me porosi:
“Për TMK-në, rekomandohen vetëm detyra rreptësisht civile”. Kjo edhe po ndodhë. Por, siç po duket , TMK-ja, as si organizatë me veprime civile, nuk do të lihet rehat. Po hartohen e po thuren “plane tërheqëse” që ajo të çthuret e në fund të zhbëhet. Sepse, strategët e rikthimit të Kosovës nën sundimin e Serbisë, po kanë frikë nga e kaluara kryengritëse e një numri të anëtarëve të TMK-së.
Le ta shqyrtojmë standardin e shtatë që bën fjalë për:
“Dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit si rrugë e domosdoshme për zgjidhjen paraprake të të gjitha çështjeve kontestuese të ndërsjella, para se të shqyrtohet çështja e statusit politik të Kosovës”.
Në dokumentet e Rambuje-Parisit dhe në Rezolutën 1244, nuk është harruar që të përmendet klauzola nga Marrëveshja e Helsinkit të vitit 1975 lidhur me ndryshimin e kufijve midis shteteve evropiane vetëm me marrëveshje të ndërsjellëta paqësore. Strategët e rikthimit të Kosovës nën sundimin serb, një herë për një herë, po insistojnë vetëm në dialogun e çështjeve “periferike-teknike” midis Prishtinës e Beogradit, por kjo është vetëm një “paralojë sa për t’u nxehur e joshur lojtarët”! Domosdoshmëria e standardit të dialogut Prishtinë-Beograd ka vetëm këtë kuptim thelbësor: t’ia bëjë të ditur Prishtinës se zgjidhja e statusit politik të Kosovës mund të bëhet vetëm me kompromis midis këtyre dy palëve. Dhe, zgjidhja kompromise me Serbinë do të thotë se çdo marrëveshje është e mundur, por vetëm pavarësi për Kosovën nuk ka dhe nuk mund të ketë. Operacioni fort i vështirë në këtë drejtim për t’i bindur kosovarët që të pajtohen me fatin e rikolonizimit të Kosovës nga Serbia ka filluar me masat e shumta që janë marrë deri tash e të cilat janë numëruar në pjesën e parë të kësaj analize.
Tashmë, si e si, po kërkohet mundësia për të bërë edhe disa ndërhyrje “kirurgjikale”, substanciale në zemër të truallit të Kosovës. Dhe formula ka qenë e gatshme që moti, vetëm pritej që të piqeshin kushtet e rrethanat. Në emër të decentralizimit ose të qeverisjes lokale, regjimi serb doli me projektin për kantonizimin e Kosovës. Meqë termi kantonizim ishte fort transparent dhe zbulonte qëllimin përfundimtar të regjimit të Beogradit për të rrëmbyer copa tjera të tokës kosovare, strategët e taktikantët e politikës serbomadhe u dhanë pas trillimit të termave tjera më të “buta” në vend të “kantonizimit”. Mirëpo, edhe këto “fleksibilitete” hasën në njëfarë rezistence te disa liderë formalë të Kosovës. UNMIK-u duke parë se regjimi serb, nga ngutja, po zbulonte në mënyrë shumë të vrazhdë qëllimet përfundimtare të “boshnjakizimit” të territorit të Kosovës, doli me qëndrimin kundër kantonizimit. Pas shpërthimit të provokuar të marsit i cili ishte organizuar e kalkuluar fort mirë nga Beogradi, çetnikët në skenën politike të Serbisë dolën me tezën e përtypur me vjet se bashkëjetesë midis shqiptarëve e serbëve në Kosovë nuk ka dhe nuk mund të ketë! Sepse pakica serbe qenka e rrezikuar nga shumica shqiptare, për vdekje! Prandaj duhet marrë masa urgjente që Kosova përsëri të coptohet dhe Kosovës t’i rrëmbehen edhe territore tjera sikurse që iu rrëmbyen Kosova veriore bashkë me Mitrovicën veriore. Dhe, projekti i gatuar prej vitesh, u nxor në shesh dhe u miratua si dokument zyrtar.
Ky dokument parasheh krijimin e Bashkësisë Serbe të Kosovës(e Metohisë) të sajuar nga pesë kantone, ose rajone, ose treva, s’ka rëndësi si do të thirren, por thelbi qëndron aty që në midis të Kosovës edhe ashtu të vogël, të krijohet edhe një mini shtet serb! Tash po kuptohet qëllimi i krijimit dhe i lejimit prej kohësh të krijimit të enklavave serbe gjithandej Kosovës. Synimi u shfaq haptazi: “Republika Autonome e Kosovës”, nga jashtë, të jetë e rrethuar nga shteti i madh serb, kurse nga brenda të jetë i kontrolluar, i frenuar dhe i provokuar, non-stop, nga mini-shteti “Bashkësia Serbe e Kosovë-Metohisë”. Me fjalë më të thjeshta, synimi është që të krijohet një “Kosovë-ferr” për shumicën shqiptare e cila, për shkak të rrethanave të padurueshme që do të krijoheshin, dalngadalë, por “me dashje dhe pa dhunë” do të shpërngulej nga trojet e veta dhe do të merrte botën në sy. Dmth. atë që nuk e arriti dot Millosheviçi me dhunën më të egër, do ta arrijë Koshtunica. Ky është synimi i regjimit të Beogradit dhe, tash për tash, gjërat janë duke u zhvilluar sipas projektit që si mbështetje ka:
- Marrëveshjen e Rambuje-Parisit,
- Marrëveshjen ushtarake-teknike të Kumanovës,
- Rezolutën 1244 të KS,
- Kornizën Kushtetuese për Vetqeverisjen Kalimtare të Kosovës dhe krejt në fund,
- PISK-un, përkatësisht Planin e Implementimit të Standardeve për Kosovën.
Mirëpo, në krejt këtë projekt eksperimental ndërkombëtar me Kosovën, Malin e Zi dhe Serbinë, ka një defekt të madh dhe thelbësor dhe kjo është përqasja burokratike, tekniciste, voluntariste që kanë për bazë kompromise të ndyra ndërkombëtare ndaj çështjes së pavarësisë së Kosovës e të Malit të Zi dhe të çështjes së demokratizimit të Serbisë. Për ta “blerë” Serbinë, flijohen interesat e Kosovës e të Malit të Zi. Mirëpo, duke flijuar interesat e Kosovës e të Malit të Zi, “vriten” parimet themelore të demokracisë e humanizmit evropian e botëror, “vritet” demokratizimi i Serbisë dhe, duke “vrarë” demokratizimin e Serbisë, “vritet” paqja në rajon dhe përgatiten gjakderdhje të reja edhe më të tmerrshme se deri tash në një regjion edhe më të gjerë të Ballkanit perëndimor.
Por, ç’është e vërteta, këto vrasje të parimeve themelore demokratike e humaniste, shtetet më të fuqishme të Evropës si Britania e Madhe, Franca, Rusia, Holanda, Belgjika e Portugalia i kishin bërë ç’prej kohësh edhe para Luftës së parë e Luftës së Dytë Botërore. Këto shtete kishin pushtuar e ndarë kontinentet e Azisë e të Afrikës. Këto shtete kishin monopolizuar lëndët e para të lira, kishin monopolizuar tregjet dhe kishin vënë nën kontroll fuqinë e lirë punëtore. Në këtë mënyrë, këto shtete kishin “pjellur” fashizmin italian, nacizmin gjerman dhe militarizmin japonez. Dhe, dihet fort mirë se sa shtrenjtë u paguan, nga të gjithë, “vrasjet” e parimeve themelore të demokracisë e të humanizmit evropian e botëror).
- Mirëpo, shtrohet pyetja e paevitueshme: Si është e mundur që edhe sot, pas gjithë këtyre përvojave të hidhura që ka përjetuar njerëzimi, të vazhdohet me “vrasjen” e parimeve themelore të demokracisë e humanizmit?
- Si ishte e mundur që pikërisht Fuqitë e Mëdha të Evropës së sotme bashkë me Amerikën t’i bënin lëshime aq të mëdha një regjimi kriminal e mafioz siç ishte ai iMillosheviçit?
- Si është e mundur që, pas gjithë atyre mizorive e tragjedive që pësoi populli i Kosovës, që këtij populli t’i imponohet robëria e re nën të njëjtin shtet? Nën të njëjtin shtet që organizoi masakrën e padëgjuar të të burgosurve të pafajshëm në kazamatin e Dubravës, masakrën e Reçakut, masakrën e Izbicës, masakrën e Krushës së Vogël, masakrën e Gjakovës, masakrën e Rahovecit, masakrat e Mitrovicës, masakrat e Tususit, masakrat gjithandej Drenicës.
- Si është e mundur që t’i imponohet një populli që edhe një herë të provojë “fatin” nën një shtet që bëri krim mbi krimet duke u munduar të fshehte krimet e veta, duke bartur me mija kufoma nga Kosova dhe duke i flakur në varreza masive gjithandej Serbisë?
E gjithë historia e deritashme argumenton se burimi thelbësor i të gjitha të këqiave ndërnjerëzore e ndërkombëtare ishte, është dhe do të jetë shkelja ose mosrespektimi i parimeve demokratike e humaniste. Populli ynë ka një thënie të bukur: “Pak ujë, pak miell, pak ujë pak miell dhe dikur bëhet brumi që nuk e ze as magjja”! Pra, krejt në fund, le të ndërpriten eksperimentet me fatet e popujve pa shtet e pa pavarësi dhe, le të pushojë vrasja e parimeve demokratike e humaniste midis njerëzve e popujve sepse një gjë e tillë na kushton të gjithëve. Sot, Kosova është vendi ku po bëhen eksperimente të palejueshme dhe ku po “vriten” parimet themelore të demokracisë e humanizmit nga ata që nuk do të duhej ta bënin një gjë të tillë.
Mjaft më!


