Reagim
Edhe një herë për ekonominë shqiptare
Qeveria e drejtuar nga Sali Berisha ka shumë gjynahe, por në drejtim të ekonomisë ka megjithëmend një meritë të veçantë. Unë nuk jam dakord në shumë pika me të, sidomos në drejtim të politikës me fqinjët, por kjo nuk do të thotë t’i mohoj meritat dhe se duhet të pranoj broçkullat e Ramës me shokë, të cilët duan ta groposin ekonominë e vendit, vetëm e vetëm që të dalin ata në krye. Do pranoja njëmijë vjet gabimet e qeverisë aktuale, por asnjë minutë manipulimet komuniste dhe propagandën e çmendur të Ramës.——————————————————————-
Politika – feja dhe stabiliteti në Shqipëri
reagim
Me terhoqi vemendjen sot një shkrim ”Stabiliteti i Shqipërisë- vetëm po të drejtohet nëpërmjet Përfaqësimit të Komuniteteve fetare.” – shkruar nga Pirro Prifti. Ky autor nuk shkruan keq, por herë pas here na servir idera që mbajne erë vorioepiriote. Çfarë propozon ai ne këtë shkrim, asgjë më pak se sa të marrin pushtetin prelatët fetarë në Shqipëri. Kjo na mungonte tani, se osmanizmin, komunizmin dhe pseudodemokracinë e provuam. Gjeniale!
Imagjinoni sikur tja japim pushtetin Janullatosit, se ka keq vallahi, veҫ kam hall se pas kesaj do na vej kusht Greqia të ndrojmë emrin e vëndit, siҫ po já bën Maqedonisë. Djalë me mënd, me perspektivë. Ku e ka bërë kët’ shkollë kaq të madhe?
Hidhet nga dega në degë duke na kujtuar patriotat e rilindjes të Kongresit të Manastirit. Haron i ziu se burra si ata nuk lindin përvit dhe në ҫdo kohë. Disa nga ata vërtet se kan qënë fetarë por mbi të gjitha vunë Shqipërinë përpara, ngritën kombin shqiptar në këmbë dhe dhanë jetën për të. Shumë nga ata i vrau Patriarhia e Athinës, i burgosi Sulltani. Janullatosi, nuk e di a mund të jetë i zoti të ngrej një popull, por kuptohet sigurisht jo atë shqiptar, ndoshta ngre grekërit në këmbë, se këtë detyrë ka marrë. Apo ai prifti i Beratit që na e deklaroi Kosovën djepin Sërbisë.
Përsa i përket muslimanëve ata tani po shkollohen në Turqi, su ka ardhur rradha akoma, apo e ka llafin për vehabistët brekshkurtër me mjekra. Këta nuk i njoh, me thënë të drejtën, se na kanë bujtur pasi jam larguar nga Shqipëria. Mesa kam lexuar nëpër gazeta, këta s’na bëjnë fare për shqiptarë, bile as e njohin kombin dhe herojtë tanë. Për ta jemi muslimanë dhe kaq, ushtarët e ”Allahut” të tyre, ata duan që të luftojmë kundër kaurëve, për ngadhnjimin e islamizmit të tyre ”botëror”. Me këta do me nda pushtetin zoti Prifti. Të bukur stabilitet po na propozoka.
Sot feja është kthyer në ideollogji, në politikë. Luhet parja e madhe në këtë mês. Nuk është siҫ e mendon dikush se ka qënë. Për mendimin tim besimi fetar nuk fare lidhje me prelatët politikanë që vjelin dhe manipulojnë popullin në dobi të njërës apo tjetrës parti apo fuqi shovine. Besimi është ҫështje personale, mesa di unë, dhe jo shtetërore. Kur kisha morri pushtetin në mesjetë, shpiku inkuizicionin. U deshën shekuj tja hiqnin fuqin nga duart, bile akoma në shumë vënde priftërintë dhe hoxhallarët sundojnë. Shikoni Greqinë, ose Iranin seҫ bëhet. Ku e ke atë stabilitet që po na e servir zoti Prifti.
Kam pas një dajko shumë besimtar. Me medresenë e Stambollit, katër herë Haxhi, zotëronte shumë gjuhë të huaja, që nga turqishtja e deri tek persishtja. Rob zoti, si i themi andej nga Tirana. Shihte punën e tij, gjithë ditën falej dhe lexonte qitapet e tija. Kurr ndonjëherë se kam dëgjuar të na bënte propagandë fetare, bile as neve nipërve, asnjëherë nuk më ka thënë të besoj atë që besonte ai. Më fliste për historinë e vëndit, të botës, për besimet dhe filozofit e lashta në përgjithësi. Më fliste për Shqipërinë, Pirron dhe Skënderbeun. Fenë duhet ta besosh vetë – thoshte ai, nuk bën tja fusish tjetrit me zor. Kur vinte puna për priftërinj dhe hoxhallarë, as donte të dëgjonte, i konsideronte të pafe, që e përdornin fenë për përfitime personale. Në gjuhën popullore i konsideronte kodosha. Njëri më të ndershëm dhe më të pastër në karakter, rrallë se gjen sot. Një musliman i vërtet, në punë të vet dhe me zotin, gjet rahmet.
Nejse dola pak nga tema, por ai njëri më ka mbetur në kujtes si personifikimi i një njëriu me kulturë dhe me bindje fetare të shëndosha. Kur bie fjala për fenë mëndja tek ai më shkon, si punë simboli i ndershmërisë dhe virtytit. Pisllëqet e sotme të prelatëve politikanë janë larg, shumë larg atij besimtari. As kanë të krahasuar. Sot sheh priftërinj të sekteve të ndryshme që rihen për një copë tokë, kush e kush të dali në krye. Marifetet e tyre s’kanë të mbaruar, dhe me djallin lidhen po qe se u del ndonjë përfitim. Se çfarë bën Patriarhia e Athinës, bashkë me qeverinë greke, që të uzurpojë jugun e Shqipërisë të gjithë e dimë, e di dhe qeveria e Tiranës që mbyll sytë. Se ҫfarë bën Patriarhia e Beogradit që të sundojë në Kosovë, po kështu nuk ka nevoj tua them unë. Pisllëqet në emër të fesë sot janë në rendin e ditës. Për ҫfarë stabiliteti po na flet ky prift gazetar, që iu hap barku dhe na qaka për Shqipërinë.
E dini si është puna e ideve të kësaj natyre? Ngrihet një i marr dhe hedh një gur në pus, mblidhen njëqind të mënҫur pastaj dhe se nxjerin dot. Ndoshta këtu e ka llafin dhe zoti Prifti, ndoshta mendon ai që haj ta hedh llafin se bën vaki dhe zë vënd. Llafi që të zërë vënd do peshë zoti Prifti, me gogla të tilla se fiton asnjëherë davanë, përkundrazi e humb që sa të hapish gojën. Mjafton ky shkrim që të kuptojmë se në ҫfarë ujrash noton autori, s’ka nevoj më tepër.
Stabilitet në Shqipëri, Kosovë dhe kudo gjetkë ku rrojnë shqiptarët, nuk e sjellin dot prelatët e ҫfarëdo feje qofshin ata, atë e sjell bashkimi, uniteti i shqiptarëve rreth ҫështjes kombëtare, e sjell emancipimi, dituria, edukata e shëndosh familjare, identiteti ynë i patjetërsueshëm. E sjell puna dhe kultura, altruizmi dhe demokracia e vërtet.
Bukuresht, 01.01.2012
http://www.albobserver.com/archives/38927
http://kosovarimedia.com/home/aktual/opinione/7687-politika-feja-dhe-stabiliteti-ne-shqiperi.html
http://www.zemrashqiptare.net/article/Komente/25768/
————————————————————————–
Censusi i identitetit shqiptar
Sot tek Gazeta 55 u publikua një shkrim me titull – “Censusi 2011”, Berisha: Shqiptarët kanë qenë dhe mbeten
‘shqiptarë’, ata që derdhin lot krokodili janë të pashpresë dhe mjeranë. Artikulli nuk kishte autor. I njëjti njoftim u konfirmua dhe nga agjensia INA - Kryeministri Berisha sulmon “Aleancën Kuq e Zi” për regjistrimin.
- është census dhe jo regjistrim,
- nuk do jetë bazë për Regjistrin e Gjendjes Civile,
- nuk cenohet kombësia e shqiptarëve, pasi shqiptarët kanë identitetin e tyre dhe mbeten shqiptarë,
Pastaj na shpjegohej se kush ishin ata që e kontestonin,
- ata që derdhin lot krokodili se po humbet identiteti i shqiptarëve janë mjeranë dhe të pashpresë,
- ata që kontestojnë, duan të vënë në dyshim identitetin dhe besimin e shqiptarëve për interesat e tyre,
- ata kanë fatkeqësinë të kenë lindur pa identitet,
- janë mjeranë dhe ateistë, që kanë frikë Zotin,
- ata janë të shpërbërë për vete si njerëz dhe nuk mund të na thonë ne se do shpërbëhet kombi,
Më tej na qetësonte,
- nuk ka asgjë të keqe që qytetarët të regjistrohen sipas besimit, sepse ata janë krenarë për besimin e tyre,
- Regjistrimi ka një rëndësi shumë të madhe, sepse për herë të parë qytetarët regjistrohen si qytetarë të një Shqipërie tjetër, me të ardhura të mesme dhe të larta,
Në fund jepte këshilla,
- Saliu adresoi një apel shumë të qartë ndaj mediave, të cilat sipas tij duhet të pasqyrojnë rritjen ekonomike të Shqipërisë dhe jo të merren me çështje anësore dhe pseudo personazhe.
Ma mirë nuk na e mbushte dot mëndjen autori. Ai që e ka shkruar qënka gazetar profesionist, por meritën e ka Saliu që u dha ”ujë në bisht të lugës” intelektualve të shqetsuar, na i tregoi se kush ishin dhe çfarë ishin. Por mbi të gjitha na e shpjegoi shkencërisht se për çfarë bëhej fjalë.
Meqë nuk e kisha hasur më parë këtë terminollogji, të më falin lexuesit për injorancën, e kërkova fjalën census në Wikipedia dhe gjeta shpjegimet e mëposhtme:
Censusi është procedura e marrjes sistematike dhe regjistrimin e informacionit për anëtarët e një popullsie të caktuar. Ky është një numërim zyrtar të një popullate të caktuar që kryhet rregullisht. Termi është përdorur kryesisht në lidhje me popullsinë kombëtare dhe për regjistrimet e strehimit. Censuset e tjera të zakonshme periodike përfshijnë bujqësinë, biznesin, si dhe regjistrimet e trafikut. Organizata e Kombeve të Bashkuara e përcakton si një tipar thelbësor të popullsisë dhe në regjistrimin e banesave, si një “numërim individual, i universalitetit brenda një territori të përcaktuar, që kryhet simultan dhe me një periodicitet të përcaktuar”, dhe rekomandon që regjistrimet e popullsisë të kryhet të paktën për çdo 10 vjet. Termi ”census” vjen nga latinishtja, vazhdon më tej: në Republikën Romake, censusi ishte një listë ku regjistroheshin të gjithë meshkujt e rritur, të aftë për shërbimin ushtarak.
Regjistrimi mund të dallohet nga marrja e mostrave kur informacioni është përftuar vetëm nga një nëndegë e një popullsie, nganjëherë si një vlerësim i përafërt. Të dhënat e censusit zakonisht përdoren në kërkimet shkencore, për marketing në biznes, për planifikim, si dhe një bazë për marrjen e mostrave gjatë sondazheve. Në disa vende, të dhënat e censusit përdoren për të përcaktuar përfaqësimin zgjedhor (nganjëherë i kundërshtuar).
Edhe pse censusi ofron një mënyrë të dobishme për të marrë informacion statistikor për një popullsi, një informacion të tillë ndonjëherë mund të çojë në abuzime, politike ose përndryshe, bën të mundur deformime nëpërmjet lidhjes së identitetit individual me të dhënat e censusit anonim. Kjo konsideratë është veçanërisht e rëndësishme kur përgjigjet e individëve gjatë regjistrimit vihen në dispozicion në formën e micro të dhënash, por shpesh të dhënat e përpunuara mund të rezultojnë si shkelje të privatësisë, kur i referohen një shpërndarje të vogël dhe / ose një popullimi të rrallë.
Për shembull, gjatë raportimit të të dhënave të një qyteti të madh, mund të jetë e përshtatshme për t’i dhënë të ardhurat mesatare për meshkujt me ngjyrë të moshës midis 50 dhe 60. Duke bërë censusin për një qytet që ka vetëm dy meshkuj me ngjyrë në këtë grup-moshe, do të ishte një shkelje të privatësisë së atyre personave, pasi duke ditur të ardhurat e njërit dhe mesataren e raportuar, mund të përcaktojmë kollaj të ardhurat e tjetrit.
Për të fshehur informacione të tilla individuale, zakonisht të dhënat e censusit përpunohen. Disa agjenci e bëjnë këtë, duke futur me qëllim gabime të vogla statistikore për të parandaluar identifikimin e individëve në popullatat margjinale; tjerët shkëmbejnë variablat për të anketuarit me karakteristika të ngjashme. Gjithsesi janë marrë masa për të zvogëluar rrezikun e privatësisë në të dhënat e regjistrimit, përdoren teknologji të reja, në formën e analizave të të dhënave me metoda elektronike, gjë që paraqiten si sfida në rritje për mbrojtjen e informatave të ndjeshme individuale.
Një tjetër mundësi është të prezantohen rezultatet e hulumtimit me anë të modeleve statistikore në formën e një përzierje të shpërndarjes multivariate. Të dhënat statistikore në formën e shpërndarjeve të kushtëzuar (histograms) mund të rrjedhin si interactively nga modeli me përzierje të llogaritur, pa ndonjë qasje të mëtejshme për bazën e të dhënave origjinale. Si produkt final nuk përmban asnjë nga të dhënat e mbrojtura, në bazë të modelit, janë krijuar software interaktive, të cilat mund të shpërndahen pa shqetësime konfidencialiteti.
Një tjetër metodë është thjesht për vjeljen e të dhëna të përgjithshme, përveç të dhënave shkallë shumë të gjërë direkt për qeverinë qendrore.
Regjistrimit të fundit të popullsisë është bërë në Shqipëri në prill 2001. Para kësaj, një regjistrim është kryer në vitin 1989 në fund të regjimit komunist.
Kaq munda të gjej për fjalën census. Pra census është një regjistrim me një objektiv të caktuar. Në gjuhën rumune, regjistrimi i popullsis quhet re-censa-mănt, ku rrënja e fjalës është po censusi latin. Ndoshta në shqip fjala census ka kuptim tjetër, nuk e di. Nuk jam as filolog dhe as gjuhëtar, ndoshta më ndihmon ndokush nga lexuesit në këtë pikë. Ajo që më intereson është: nëse është regjistrim popullate apo jo ky censusi?
Kryeministri heshti kaq kohë për këtë problem dhe ja një ditë shpërtheu, e nxori të keqen. Çfarë e detyroi vallë të bejë këtë gjë? Përse e ndjeu për detyrë të dalë në publik dhe në masmedia me një fjalor aq denigrues për kontestuesit? Nuk pash asnjë argument në këtë deklaratë, ku të sigurohen kontestuesit se ky census nuk do përdoret nga grekët për qëllime të mbrapshta. Në të ndjehet toni arogant dhe injorues, fyhen drejtuesit e Alencës kuq e zi.
Qëllimi i qeverisë greke është i qartë, po kështu dhe presioni që ushtron ndaj qeverisë shqiptare, ajo që është e paqartë është qëndrimi i qeverisë tonë. Mua, nga ky problem i diskutueshëm, më duket se lidhja e regjistrimit të popullsisë me përkatsinë fetare dhe atë të kombësisë, është bërë si një qëllim më vehte, i cili krijon mundësinë e spekullimeve të mëvonëshme. Çfarë e detyron qeverinë tonë ta bëjë atë? Sidoqoftë, dalja e Saliut me këtë gjuhë, mendoj është e pajustifikueshme dhe e konsideroj si dobësi, që çfaqet pikërisht nga mungesa e argumentave. Ai nuk e justifikon dot këtë vendosmëri dhe këmbëngulje të tij për ta çuar deri në fund këtë census të çuditshëm, i cili nuk është bërë ndonjëherë tek ne dhe që është aq i kontestuar nga shoqëria civile. Nuk dua ta akuzoj për asnjëgjë, pasi e kanë bërë të tjerët, por kësaj rradhe ai doli hapur dhe në një mënyrë shumë të shëmtuar, gjë që bën të mendohem se si ta përcaktoj dhe në cilën kategori politikanësh ta inkuadroj.
Një fjalë e tij më duket e saktë se jo regjistrimi përcakton identitetin e një shqiptari të vërtet. Problemi është se këtu bëhet llafi për shqiptarët pa identitet që deklarohen si grekër për të përfituar diçka nga greku. Prandaj spekullimet dhe deformimi i realitetit mbi strukturën e popullsisë, në rastë se këtë jua lë në dorë të vullnetit të tyre të lirë, bëhet plotësisht i mundshëm. Pastaj përpunimi i të dhënave të regjistrimit me metoda të sofistikuara statistikore, e kanë merak vetë grekët ta bëjnë. Atyre u duhen vetëm të dhënat bruto dhe mundësisht sa më të paqarta, se i filtrojnë vetë ashtu siç u duhet atyre. Kam përshtypjen se diçka lidhet këtu me këtë dalje të çuditëshme të kryeministrit tonë arogant.
Bukuresht,21.07.2011
http://www.kosovarimedia.com/home/aktual/analiza/5467-censusi-i-identitetit-shqiptar.html
———————————————————-
Sot, shantazhi ka vetëm një fytyrë, atë të Ed Ramës
Rama: Nuk ka dialog me Saliun (INA-NOA)[1].
Rama duke parë se kryetarllëku i iku nga duart, heshti ca ditë, por pasi e mblodhi veten, filloi punën në dy drejtime, nga njëra anë bëri shantazh në formën ” akuzon …të pranohet publikisht… se kjo nuk do të përsëritet më, këtë sigurisht nuk e presim nga Saliu por nga miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë, vetëm pas kësaj mund të flitet jo vetëm për dialog por për një paketë reformash të cilat janë të kërkuara nga Bashkimi Europian…”. Pra sipas imagjinatës së tij, ndërkombëtarët të ”trëmbur” nga pasojat e ”rënda”, me të cilat po i kërcënon ai, do vijnë me vrap në Tiranë dhe do e rivendosin atë kryetar përsëri, ndërkohë do dënojnë Saliun dhe qeverinë për ”gabimet e rënda” që kanë kryer gjatë zgjedhjeve. Si guxuan Saliu, qeveria, gjykata, Kolegji, KQZ-ja etj., ti marrin PS-së thelën e majme, të cilën Edi me shumë mundime dhe aq sakrifica e kishte pregatitur për vete dhe miqtë etij, për 10 vjet me rradhë! Ky është kulmi i vjedhjes mes ditës me diell.
Nga ana tjetër, pa zë, në heshtje dhe fshehtas, njoftohemi për aktivitete intensive, lëvizje e madhe në Bashkinë e Tiranës për të zhdukur dokumentat, për të fshirë gjurmët dhjetvjeçare të kësaj ”pune” të palodhur, vetmohuese për të mirën e…. sigurisht jo të popullit. Digjen dokumentet në Komunën e Tiranës[2], bërtasin gazetat gjithandej. Ed Rama i vjedhur, ka mobilizuar gjithë sejmenët dhe bashkëpuntorët e tij, gjithë përfituesit e frutave të ndaluara , të zhdukin çdo gjurmë të mbetur mbrapa. Do aplikojë taktikën e tokës së djegur, që Basha mos tja gjej fillin kurrë. Zhduket çdo gjë që mund ta ndihmojë kryetarin e ri ta filloj punën për së mbari dhe të mos humbas kohë duke ribërë dokumentat e fshira nga memorja e serverit të Bashkisë.
Ideja është, se nqs nuk pranohen këto kërkesa të tij ”të drejta”, atëhere zjarri i ferrit do mbuloj Shqipërinë. Populli do pësoj atë që meriton, pasi nuk u hodh në revolucion si në 97-tën, për të rëzuar Saliun siç e porositi ai. Kurse Europa, lej ta shohi Shqipërinë me dylbi, se sa të jetë Edi Rama dhe PS-ja gjallë, ajo kurrë s’ka për tu pranuar në BE. Me siguri dikush i ka fryrë në vesh dhe e ka siguruar Edin, se pikërisht ashtu do ndodhi. Në BE do hyj vetëm Ed Rama dhe kursesi Sali Berisha, kjo s’ka diskutim. E meriton vallahi, posi, e ka me hak, se për atë Evropë të shkretë ra ai telef duke punuar dhe duke u kacafytur për ditë, qysh në 2009-tën, dhe askush nuk ja diti. Kam dyshime, se këto ëndra i ka parë gjatë vizitës në Athinë, ku morri vrull për të hyrë në zgjedhjet e 8 Majit. Gojët e liga, thonë plot gjëra, japin variante pas varianteve, por me siguri, kur e sheh se si fryhet kacagjeli, diçka është këtu, nuk është pa gjë dhe ky i gjori.
Para ca ditësh deklaroi se opozita do bashkëpunojë, do hyj në parlament. Uraaaa. Prit he burra, mos e keqkuptoni, mos u nxitoni, ai nuk tha se do hyj tani, më vonë, nga shtatori shohim e bëjmë, se tani bën vaki dhe merr statusin e kandidatit Shqipëria, e pastaj iku e gjith puna. Heee, se há atëm kokër ulliri kollaj Edi, është i mënçur, di ku ta kapi lepurin, për bishti. Me këtë deklaratë, ra mirë me ndërkombëtarët, që i çan veshët të pranoj ligjin, të respektoj vendimet e Kolegjit. Po çfarë të pranoj i ziu, të pranoj tja zërë vëndin Basha! Hej, këta ndërkombtarët s’janë në terezi fare, paskan qënë komplet budallenj, si su vjen turp ti kërkojnë atij të heqë dorë nga protestat dhe nga bllokazhi i ligjeve. Haj se do já regulloj ai qejfin atyre. Kështu doli në dritë deklarata e sotme.
Po më habit ky djalë, të dashur lexues. Ku dreqin e bëri këtë shkollë? Unë dhe si plot si puna ime, për shëmbull, të gjithë jemi shkolluar në periudhën e Enverit, por kaq sa ka mësuar ky birbo, vallaj s’kemi mësuar dot. Tani po e kuptoj, se pse nuk po arrijmë dhe ne të bëjmë pushimet në Dubai me 20 mijë dollarë nata në hotele me pesë yje. S’patëm kokë të mësonim si duhet mësimet e merhumit, prandaj vazhdojmë të luftojmë për copën e bukës. Kështu e ka jeta, kush s’ka mënd vuan, koka bën koka pëson. Megjithatë duhet ta pranojmë se Edi ka talent i ziu.
Mjerë Shqipëria për këta politikanë që ka. Të më falni për ironitë, por ky brum këtë bukë na jep. Unë përpiqem sinqerisht ta kuptoj, se ku do me dal, por sa më tepër kuptoj aq më e keqe më vjen era, aq më e shëmtuar më duket kjo punë. Fshati që duket, thonë nga anët tona, nuk do kallauz. Kjo punë që po ndodh tani po na e sqaron mirë se çfare kanë në kokë dhe çfarë duan të bëjnë me Shqipërinë komunistat.
Bukuresht, 14.07.2011
—————————————————————
Shqetësimet e Koloretos
Në doni të shihni si bëhet manipulimi në Shqipëri, ju rekomandoj të lexoni Gazetën Shekulli. Në doni të shikoni se si futet përçarja mes shqiptarëve, ju rekomandoj të lexoni këtë gazetë. Në doni të shihni se si mbrohet politika shoviniste greke nga PS-ja, mos ju ndani gazetës Shekulli.
Autori i një shkrimi që lexova sot në këtë gazetë, ka një emër jo shqiptar, Koloreto Cukali. Nuk e di se në çfarë gjuhe mund të ket kuptim emri Koloreto, ngjan pak me italishten, por atëhere duhej të ishte shkruar kolorato (i lyer ose i përlyer), ose ndoshta është diminutivi i tij që përdoret me përkëdheli. Mbiemri ngjan me emrin shqiptar Cukalli, që e gjejmë në Kurvelesh (diku nga Lekdushi), por nuk jam i sigurt për këtë, pasi nuk plotsohen gërmat e këtij mbiemri të njohur. Ka mundësi që ka lidhje me fjalën Cukala në ghuhën vllahe, që do të thotë një lloj qylafi i shtypur që shkon deri tek veshët. Duhet me pyt çobanët, ndoshta ata e din më mirë. Pra, duke u nisur nga emri nuk mund të them asgjë lidhur me origjinën e autorit. Nga ana tjetër duke lexuar artikullin, hutohem fare, pasi megjithmënd nuk del as mish as peshk. Po emrin Bollano, a ka kush të ma përkthej, se unë s’di as greqisht për fat të keq. Besoj se nuk vjen nga rrënja shqipe ”boll” apo nga ”bolla e shtëpisë”, ani, s’ka gjë se do e marr vesh ndonjë ditë. Nga njëra anë, autori, në kapitullin ”Bollano në dritë”, i qan hallin dhe ja hedh fajin ”atyre” të Tiranës për imazhin e keq filogrek të tij, i cili i solli dhe humbjen e votave gjatë zgjedhjes. Media ”e cekët” e Tiranës e demonizoi, prandaj media e ”thellë” (Shekulli) e sheh të domozdoshme që ta reabilitojë. Kur dëgjova me veshët e mi vet Bollanon, në një emision TV gjatë zgjedhjeve, me doli grek safi e kaluar grekut, por Koloreto thotë se nuk është e vërtet ! Çudi kjo punë! Partizani i Vorioepirit Bollano, nuk na qënka grek ! Po çfarë dreqin është, kur merr pjes në konferencat e Vorioepirit në Greqi e gjetkë dhe na mban fjalime pasionale, sa që dhe vet grekërit e kanë zili. Një herë duke e dëgjuar, u binda se po pregatiste një karierë të shkëlqyer në parlamentin grek, ose diku në qeverinë apo administratën greke. Koha do e tregojë se ku do përfundojë dhe Bullanoja ”i shkret”, i qoftë rruga e gjatë! Nga ana tjetër, autori, u qan hallin e himariotëve dhe na paraqet një pamje apokalipsi në Himarën e mbas Bollanos. U qan hallin fshatarëve të këtij vëndi, se po u vijnë investitorët e Tiranës si mizat dhe po jua betonojnë bregun. Sipas tij, Bollano e paska shpëtuar deri më sot Himarën nga tiransit ”e prapë”. Na paraqet një Himarë të pushtuar nga betonjerat, të cilat zhurmojnë çdo pesë minuta nëpër rrugët e saj, duke prurë betonin që do mbulojë krejt bregun e detit. Do e qajnë Bollanon e shkret dhe s’do e gjejnë më. Mu kujtua një këngë që këndonim në rini. Bëhej fjalë për një të ri të dashuruar, i cili i drejtohet vajzës së dashur që e kishte braktisur ” …do më qash, do më qash mua mbi varr, kur mbi mua, do ketë mbirë bar…”. Sa e prekëshme, ëëë? Vajzat e dashuruara, kur i dëgjonin këto fjalë derdhnin lot mallëngjimi, lagnin shamitë. Sot, iku ajo kohë e bukur. Të rinjtë nuk besoj se bëjnë serenada të tilla dhe nuk këndojnë më të tilla këngë lotprurëse, kanë të tjera punë për të bërë. Gjynah për besë, sa do i shkonte një serenadë Bullanos tani. Koloreto, ky shkrimtar i alarmuar, pasi na e këndoi serenadën e Bollanos, ngre zërin për pushtimin nga veriorët të Himarës së zbrazur. Ca pleq dhe plaka himariote të mbetura, sipas tij nuk e popullokan dot Himarën, ndërsa veriorët kanë zënë punët dhe po shtohen si mizat. Gegërishtja e tyre po i vret veshët e tij të ndjeshëm dhe po mbulon atë greqishten ”e pastër” që flitej dikur nga këto anë. Duke na përshkruar këtë fenomen ai shprehet ”… ata që me krenari thonë nuk di greqisht edhe kur dinë”. Pra vorioepirioti Bollano, sipas tij, i bëri fshatarët e himarës ta fshehin gjuhën greke që dinë, na i bëri ”patriota” me fjalë të tjera. Pra i paskemi rënë në qafë kot të shkretit, sidomos ne që shkruajmë në internet. Meqë e humbi vëndin e punës në Himarë, i rekomandoj, Bollanos, të hidhet në Athinë, që ti bëj dhe arvanitasit ”patriota”, megjëse ata nuk janë epiriota. S’ka gajle, prap ”grekër” janë, për të e njëjta gjë është. E vetmja, që kujdesej për këta fshatarë të gjorë të Himarës, sipas tij, na dilka qeveria greke, e cila po u jep ato pensionet prej 350 eurosh himariotve grekofon, të cilët historikisht i kishin sytë nga deti, ”si e si, të shkonin në Greqi”. Histori e re kjo, nuk e dija. Unë dija që himariotët emigronin në Francë, Itali dhe Amerikë. Ndonjëri arriti dhe në Australi, por jo në Greqinë e varfër. Ndoshta kalonin nëpër portet e Greqisë, që të kapnin ndonjë vapor për Amerikë apo Australi, por jo që të mbeteshin aty. Në ato kohëra grekërit emigronin për vete, ca bile vinin tek ne në Çamëri si argatër, se vuanin për bukë të gojës. Por, me siguri që autori është ”dokumentuar” mirë nëpër gazetat greke, të cilat ranë telef këto 20 vjetët e fundit që të na mësojnë ”historinë” e re të Himarës. Vjehri i motrës time, xha Dhimitri nga Vunoi, e bëri kurbetin në Francë, ku punoi për mjaft vite në minierat e Alsasës. Nga ai kam dëgjuar se atje, në atë kohë, ishte një koloni e tërë me shqiptarë nga bregu, të cilët mbanin familjet e tyre me bukë, duke nxjerr qymyrin francez. Dinte i shkreti dhe greqisht dhe frëngjisht, por në shtëpi fliste shqip gjith ditën. Kam njohur bregaz, pleq të motshëm, që flisnin në katër gjuhë dhe kishin bredhur gjithë botën, deri sa ua mbylli rrugën Enveri. Nejse, ndoshta autori nuk ka pas rast të njohë kurbetlinj nga bregu, megjithatë me siguri ka lexuar mjaft tani, këto kohët e fundit, dhe po na e mëson dhe neve përallën e tij të re. Më tej, autori i shkrimit na shpjegon ”…retorika nacionaliste, shpesh ka shërbyer si valvul për të hequr vëmendjen nga problemet reale” të Himarës, ndërsa ”Bollano ishte më tepër një politikan jo shumë i zgjuar dhe i paaftë për të ndërtuar një imazh pozitiv”. Exelent! Eureka ! dhe më tej pranon ”Bollano, ka plot mëkate…Identitetin e Himarës nuk mund ta përcaktonin as flamujt, e as shkrimet greqisht, as konsujt. Identitetet kombëtarë trashëgohen, nuk shpiken”, duke vazhduar se ”Njerëzit me të cilët flas nuk kanë besim që Kryetari i ri i Bashkisë”. Më lind pyetja, me cilët ka folur ky shkrimtar? Ne fund i vë kapakun ”Dikush më thotë që shumë vota janë blerë”. Ndoshta, por kush e pa këtë? Nuk jep përgjigje. Me një fjalë, që ta marrim vesh, Bollani paskish qënë kryetar i zoti, por si politikan gaboi, prandaj nuk u votua. Populli e konsideron si më të mirin, por meqë kundërkandidati i bleu, votuan tjetër. Pra populli është fajtori që Himara do ”shkatrohet”, se ata ”qafirat” e Tiranës po e betonojnë shpejt e shpejt, tani që Bullano nuk është më kryetar.Së fundi vazhdon të na shpjegojë se çfarë është Himara, dhe himariotët. Sipas tij ”Shqiptarët e Bregut, nuk
ekanë problem greqishten e himarjotëve” bile as Koloreto nuk e paska problem. Pra, me sa kuptoj unë nga kjo mënyrë e të shprehurit, atje paskemi dy popuj – shqiptarët e bregut dhe himariotët që flasin greqisht. Bravo, ku e ke lexuar këtë ? Ma jep dhe mua ta lexoj. Indirekt sipas tij, shqiptarët e bregut dhe himariotët janë dy popuj ”miq”, që e tolerokan njëri tjetrin. Të lumtë, ja këtë do dhe Europa, tolerancë sa më tepër. Si përfundim ” Rrugët e Himarës janë të qeta. Shpirtrat tanë jo”. E kuptuat të dashur lexues – shpirtrat tona të pa qeta e kanë fajin. Shkakun po na e qet si në tavë: ” … nacionalizmi ushqehet nga mediat e blogjet në Internet…. më pasionantët për të mbrojtur Himarën nga “grekërit” janë ata që nuk kanë qenë kurrë aty”.Sa mirë që më sqaroi ky Koloreto, më në fund u ndiçova, unë haberin se paskam patur, u paskam rënë në qafë më kot grekëve, një vit rresht duke shkruar, fajin e paskemi ne vet, me shpirtërat tona të pa qeta!!!
Boll! Tani u nxeha fare. Parvjet më ndodhi diçka që po të ma kishtë thënë dikush nuk do e besoja, diku e kam përmëndur këtë ngjarje që më ndodhi gjatë pushimeve. Duke kaluar nëpër Himarë me makinë, ndalova të pyes një djalë për një adresë. Ai seç më rrokullisi ca vargje me fjalë greqisht shpejt e shpejt. I kthehem – a je shqiptar apo grek? Mu përgjigj se ishte himariot, duke theksuar se ishte grek nga Himara në fakt dhe se nuk dinte të fliste shqip. Kështu vazhduam të bisedojmë në dy gjuhë, unë në shqip dhe ai në greqisht. Hej bela thash, mu përsërit situata si para dy ditësh kur isha në Çamëri (Filat dhe Igumenicë), ku unë u flisja shqip dhe ata më përgjigjeshin greqisht. Mirë çamët e atjeshëm kishin frikë të flisnin shqip (ashtu kujtova unë), po ky zarbua këtu në mes të Shqipërisë nga kush ka frikë. Nga Bollano vallë? Më ngeli peng kjo punë, shyqyr që lexova sot këtë shkrim të Koloretos, që ma sqaroi tamam. I dhashë një këshill atij djali, i thash – greqishten mos e haro mor djalë, se ndoshta do të bëj lazëm ndonjëherë, po mëso përpara shqipen mor bir, se këtu jeton, këtu po ha bukë, ku do mbytesh me këtë greqishte në mes të Shqipërisë. Po me kë të flisja, atij dikush ja kishte mbushur mëndjen top se po të fliste greqisht, e kishte fituar davanë, ja kishte hedhur – i kishte thënë fukarallëkut hik sikter. Sikur dhe grek të kishte qënë, dy fjalë shqip do mi kishte thënë, por ky lloj himarioti i ri, i frymëzuar nga mësimet e kryetarit të Omonias, Bollano, mazallah. Pra Himara nuk ka asnjë problem thot Koloreto – si thoni ta besojmë?
E keqja na vinka nga nacionalizmi jonë. Ky na u rritka nga jugu në veri. Pra në jug nuk gjen këmbë nacionalisti, pastaj sa ecën drejt veriut, fillojn e dalin, sikur mbijnë nga toka, rriten. Kur arrin në Kosovë, aty është kulmi, e ke tumbllas me nacionalista. Mirë që nuk e kishte ilustruar idenë me ndonjë grafik, që ta kuptonim, e të na fuste mire në kokë se nga na vjen rreziku. Megjithate e përmblodhi me – ”Sa e urrejnë kosovarët Bollanon!” Po pse nuk na pyet ne çamët, more qafir, se sa e urrejmë atë farrë birr bushtre. Neve ku na le, ëëë?
Nuk haroi në fund të na përshkruaj dhe të ardhmen ” Në fshatrat e bregut, ka shumë punëtorë që flasin me theks verior”. Kjo e shqetson atë, se po zëvëndësohet greqishtja me theksin verior të shqipes. Desha ti kujtoja diçka këtij opinionisti manipulues, ai ”theksi verior” ja ngriti dikur Athinën, ai theks e mbrojti, ai e ndërtoi sa herë u dogj dhe po ai e çliroi nga perandoria e Osmanllinjve. Lej ta dij mirë gjithë Bollanot e botës, se qe nja ai theksi verior dhe ai tjetri jugor, që e harove ta përmëndish, do jua tregojnë mirë vëndin ku e keni e ku se keni. Manipulime të tilla nuk pinë më ujë, dhe Himarës mos ja qaj hiç hallin, se sa të jemi gjallë ne dy theksat e shqipes, kurr nuk pëson gjë, do mbetet shqiptare sa të jet jeta.
E mbylli Koloreto-ja paçavuren e tij me frikën e tij se “Nacionalistët” e Facebook-ut e të diasporës do të vijnëfundjavave për të snobuar”. – Po ta them unë troç dhe mbaje mënd ”Do vijmë sa herë të na dojë qejfi, hiç mos e ki gajlen, vit për vit aty na ke”. Po qe burrë, hajde e na i thuaj qe ato punët e nacionalstëve në sy, ball për ball, ta shohim sa të vlen lëkura.
Bukuresht, 28.06.2011
http://kosovarimedia.com/home/aktual/opinione/5186-shqetesimet-e-koloretos.html
——————————————————————-
Lufta serbo-shqiptare po zhvillohet tani në tregun e patates
Një lajm që më ra sot në sy - ”Shqipëria bllokon patatet që vijnë nga Kosova për të favorizuar Serbinë”
Koment:
Shumë diskutime mes burokratësh, shumë premtime, shumë revoltë. Kur dëgjon këto diskutime boshe rreth
një problemi fare të qartë, të cilat nuk sollën asnjë zgjidhje deri më sot. Problemi është shumë delikat dhe i ndjeshëm, prodhimi i patates nga Kosova duhet të jetë më konkurues ndaj patates sërbe në tregun shqiptar. A ka diskutim për këtë ? Këtë e kuptojmë të gjithë, këtë duam të gjithë. A nuk është kjo një mënyrë për të mbrojtur biznesin shqiptar ? Atëhere përse nuk gjen zgjidhje nga ana e burokratëve të financës shqiptare. Problemi u akutizua, pasi u mbyll marrveshja mes Shqipërisë dhe Sërbisë, e cila sjell si pasoj një konkurencë neloajale në dëm të prodhimeve bujqësore shqiptare.
Zgjidhja e këtij problemi në favor të prodhimeve shqiptare, sjell dy efekte pozitive shumë të rëndësishme për popullin tonë. Ul çmimet e këtyre prodhimeve në tregun shqiptar, gjë që rrit fuqin blerëse të konsumatorit shqiptar dhe rritjen e nivelit të jetesës. Nga ana tjetër, stimulon prodhimin bujqësor tek fermerët e Kosovës, u jep frymarrje, u krijon mundësi për zhvillim. Kosova historikisht ka qënë hambari i Shqipërisë, i cili ka kapacitet të mbulojë të gjitha nevojat e vëndit (Kosovë + Shqipëri), por kjo u prish artificialisht duke na ndarë në dy shtete. Sot duhen zgjidhje kombëtare. Para se të mendojmë për ”fqinjësira të mira” duhen të regullojmë shtëpinë tonë. Kush nuk e sheh problemin në këtë formë, nuk punon për Shqipërinë, nuk mendon për prosperitetin e popullit shqiptar.
Fqinjësin e mirë lej ta mbajmë, por jo në kuriz të popullit shqiptar. Një fjal e urtë popullore thotë ”miqsia, miqësi, por paraja të vej e të vijë”. Kam përshtypjen se nga nxitimi për të demostruar ”fqinjësinë e mirë” me Sërbët , zyrtarët tanë haruan të bëjnë llogaritë e shtëpisë. Nëse sërbëve do u bëjmë një favor, ky duhet të jet të paktën dy herë më vogël se ay që duhet tu bëjmë shqiptarëve. Pa thënë se çdo favor ekonomik, bërë komshinjëve, duhet të jetë rigorozisht reciprok, gjë për të cilën dyshgoj shumë se është i tillë në këtë rast. Politika e çmimeve, e doganave, e tatimeve, e taxave të ndryshme, duhet të ketë patjetër ngjyrë kombëtare dhe në asnjë mënyrë kundër kombit tonë. Nuk jam i sigurt nëse para mbylljes së kësaj marrveshje të kenë bërë hesapet dhe bilancet, për të parë efektet ekonomike të saj, për impaktin që mund të ketë në ekonominë shqiptare.
Ndoshta nuk ka krahasim, por nuk e di pse kjo marrveshje më sjell ndërmënd marrveshjen Shqipëri – Jugosllavi të firmosur nga Enver Hoxha në 1946. Atëhere u bë barazimi i vlerës së Lekut të fortë shqiptar me dinarin e zhvlersuar pas lufte. Në atë kohë, për të blerë një bukë në Beograd, duhej të jepje një thes me dinarë pasi kushtonte një milion. Nako Spiru, si krytar delegacioni, e konsideroi planin sërb si një grabitje të pasurisë shqiptare, dhe firmosjen e një marrveshje të tillë skllavëruese – tradhëti, prandaj e denoncoi dhe nuk pranoi ta firmoste. Ky fakt ja hëngri kokën, sa u kthye në Tiranë e vranë. Me tu lidhur marrveshja atëhere, pas vdekjes së Nakos, erdhën sërbët në Shqipëri me thasët e tyre me dinare dhe e ngritën krejt tregun shqiptar për të ushquer sërbët e uritur të asaj kohe. Kjo ka qënë goditja më e madhe që ju bë ekonomisë shqiptare dhe e detyroi popullin tonë të kalonte një periudhe të gjatë urie ( periudha e triskave). Në 1945, Shqipëria me një popullsi fare të vogël (800.000 banorë),trashëgoi gjithë depot e ushtrisë së madhe italiane, kishte mallrat e tregëtarëve shqiptarë që kishin dyqanet dhe depot plot që u mbushën gjatë periudhës së luftës. Të gjitha këto shkuan në Beograd për pesë dinarë pa vlerë.
Mos po përsëritet i njëjti gabim, mos vallë kjo marrveshje do jet prap një ”kontribut” shqiptar për nxjerrjen e ekonomis sërbe nga kriza, duke sakrifikuar interesat e popullit tonë, duke bllokuar dhe hequr tregun shqiptar për bujqësinë kosovare. Dikush duhet te dali dhe ta sqarojë mirë këtë punë. Dikush duhet të përgjigjet për çdo dëm që i sjell kjo marrveshje ekonomisë shqiptare. Por dhe në rastëse kjo marrveshje ka motive dhe interes për ekonominë tonë (gjë për të cilën dyshoj shumë), lej ta argumentojnë hapur në publik. Nga ana tjetër dhe në një rast të tillë ajo duhet të shoqërohet me disa masa për të mos prekur interesat kombëtare dhe në asnjë mënyrë të mos bllokojë bujqësinë e Kosovës dhe të preki biznesin shqiptar.
Shqipëria e vogël u bë telef duke ndihmuar fqinjët tanë për të dalë nga kriza, si grekët dhe sërbët sytë i kanë nga Shqipëria. Asnjëherë nuk kemi parë reciprocitet, gjithmon fitimi ka shkuar tek komshinjte tanë dhe asnjëherë tek ne. Deri kur kështu? A thua se është miopia e specialistave tanë apo është dashakeqje e disa qarqeve politike, me tendenca të theksuara antikombëtare.
Bukuresht,02.06.2011
—————————————————————–
”Familja është kthyer në portin e Barit dhe është marrë nën mbikqyrjen e policisë italiane, e cila ka vlerësuar si skandaloz veprimin e policëve kufitar shqiptar” –njofton agjensia INA në artikullin: Policia shqiptare skandal në Portin e Durrësit me familjen nga Kosova.
Reagim:
Ky është një turp, është një njollë e madhe për Ministrine e Brëndëshme shqiptare. Në të gjithë botën egzistojnë regulla, që u lejon perfaqsive dipllomatike të shteteve të lëshojnë Leje kalimi për qytetarët e vet në rastet kur humbasin dokumentat ose kur ato behen të pavlefshme. Policia kufitare e Durrësit nuk i njofti këto dokumente të lëshuara nga Ambasada e Kosovës në Romë. Shtetasit Kosovarë u morrën nën mbrojtje nga kufitarët italian të Barit, të cilët u dhanë strehim dhe ushqim dhe njoftuan Ambasadën e Kosovës në Romë për këtë incident. Pra policia shqiptare e Durrësit nuk mund ta bënte këtë gjë që bëri ajo italiane. Ajo preferoi të kthente mbrapsht familjen me dy fëmijë. E kishte të vështirë të sqaronte situatën e dokumentave duke i afruar ndihmën përkatëse familjes ose më mirë ta themi troç, nuk deshi të bënte atë që policia italiane e quajti të drejtë. Dikush, një burokrat shqiptar i policis kufitare të Durrësit, me arogancën e tij dhe papërgjegjsin e detyrës që kryen, kreu një akt jo njerzor ndaj një familje shqiptare të Kosovës.
Në këtë mënyrë ky burokrat diskretitoi shtetin shqiptar, krijoi një incident diplomatik duke mos njohur autoritetin e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Romë, e cila paisi këtë familje shqiptare me dokumentin e udhëtimit për kthimin e tyre në atdhe. Nuk ma merrte mëndja kurre se mund të ndodhte një gjë e tillë, se një shqiptar mund të trajtohet në këtë mënyrë në kufijtë e Shqipërisë. Unë personalisht, si shqiptar, kur mbrij në kufirin e Kosovës, gjatë rrugës së kthimit për në Tiranë, e konsideroj sikur mbrita në shtëpi, në vëndin tim dhe nuk mund të pranoj të trajtohem si një i huaj. Bile dhe në Maqedoni, kur më bie rasti të kaloj nga Tetova, ndaloj të pij një kafe se më duket që po mbrij në shtëpi. Këtë ndjenjë ma jep në rradhë të pare gjuha shqipe, pasi nuk më duhet të flas në gjuhë të huaj për tu marr vesh me njerëzit, plus ambjenti shqiptar që na tërheq dhe na bën ta ndjejmë veten mirë.
Duke qënë mërgimtar, e kuptoj shumë mirë dëshpërimin e asaj familje shqiptare, e cila nuk e pati fatin të trajtohesh si në shtëpi, kur mbriti pikërisht në tokën shqiptare. Ky rast duhet analizuar thellë nga ana e Ministrisë së Brëndëshme dhe Qeverisë shqiptare. Mendoj se në rradh të parë duhet ti kërkojë falje asaj familje dhe ta dëmshpërblej deri në një për këtë keqkuptim dhe sjellje të padenjë të kufitarve në portin e Durrësit, dhe të merren masa të repta që raste të tilla të mos përsëriten asnjëherë më. Edhe sikur të kishte pas probleme në dokumente ajo familje prej Kosove, kur nuk duhej kthyer mbrapsht, për asnjë arsye në botë. Çdo shqiptar që arrin në tokë shqiptare duhet ta ndjej veten në shtëpi. Problemet zgjidhen, nuk janë të pazhgjidhëshme dhe është pikërisht detyra e zyrtarëve shqiptarë tua zgjidhin problemet se nga populli shqiptar i marrin rogat. Të mos i shkoj ndër mënd kurkujt të bëj dallime ndërmjet shqiptarëve. Qeveria e Tiranës dhe ajo e Prishtinës lej ti zgjidhin problemet mes vedit në mënyrë që shqiptarët kur të mbrijnë në tokë shqiptare ta ndjejnë veten në shtëpi dhe mos guxoj kush ti trajtoj si të huaj.
Unë u bëj thirrje të gjitha organizatave shoqërore shqiptare kudo që ndodhen që ta ngrejnë zërin kundër një veprimi të tillë i cili na prek të gjithëve ne si komb. Bëhet fjalë për trajtimin e shqiptarëvë në tokë shqiptare, pra çështja ngrihet në parim. Kush kërkon ti ndaj shqiptarët, e ka gabim, nuk mundet, ne nuk e lejojmë kurrë një ndarje të tillë. Flasim për bashkim, se për të na ndarë na ndau Europa, por ne nuk duhet me e nda vedin, përkundrazi pak nga pak duhet me u bashku në të gjitha aspektet e jetës deri sa të bëhemi një shtet i vetëm shqiptar.
Kur grekët kthyen pleqtë çamër në kufi vetëm se kishin vëndlindjen në Çamëri, neve na dhëmbi shumë dhe i akuzuam shtetin grek për shkeljen e të drejtave të njëriut. Tani po na ndodh një rast i tillë në Durrës, ku kufitarët shqiptarë u sollën si grekët me një familje shqiptare, kulmi! Këta njërëz nuk merritojnë atë vënd ku punojnë, ata duhen pushuar në vënd. Lej të shkojnë të kërkojnë punë në kufirin grek po të duan, se ndoshta ju përshtatet më mirë.
Bukuresht, 16.05.2011
——————————————————————————
Dështuan koalicionimet midis partive shqiptare
http://www.ina-online.net/Default.aspx?news=9d48ab8e-1a9a-436c-8843-5d46f75c2bb0&ln=3
Reagim:
Ah këta kryetarët !
Një njoftim i shkurtër në INA-online, ma prishi kënaqsinë e kohës së bukur të këtij mëngjezi me diell të ditës së pashkëve. ”Nisma e Komunitetit Shqiptaro-Amerikan, thirrjet e disa partive për bashkëveprim dhe koalicionime si dhe nisma e fundit e Lëvizjes “ZGJOHU!” me moton “Koha për Bashkim” kanë rezultuar të dështuar”. S’kisha ndërmënd të shkruaja sot, por nuk më mbajti vëndi.
Shqiptarët e Maqedonisë, e paskan pas mallkim që të mbeten ”kasht e koqe”, dhe të jetojnë si mjeranë nën thundrën e maqedonësve pa kombësi. Platforma shqiptare, që u prunë përfaqsuesit e diasporës nga Çikago, nuk u pëlqeu, pasi binte ndesh me interesat e kryetarëve shqiptarë. Më hapur nuk mund të dalin kundër interesave kombëtare. Ky fakt ua çori maskën e tyre dhe u doli fytyra e tyre e vërtetë renegate. Këta kapedanë, që kanë pushtuar kryesitë e partive, nuk tërhiqen asnjë gram nga pretendimet e tyre meskine për pushtet, nuk hapin rrugë kurkujt, sikur flaka të bie, sikur bota të shuhet.
Me këta nuk kemi çfarë të bëjmë, e vetmja zgjidhje është tek antarët e thjeshtë të partive, të cilët mund ti heqin dhe mos i zgjedhin kurrë më. Por a egziston kjo mundësi? Probabiliteti është i vogël, pasi në asnjë parti shqiptare nuk funksionon sistemi demokratik i zgjedhjes dhe i dhënies llogari. Mungon plotësisht kultura e organizimit dhe funksionimit të partive. Bile kjo vihet re që në fazën e parë të krijimit të sejcilës parti, tek motivimi i fondatorëve të tyre. Pamvarsisht se ”over goal” i deklaruar është i mveshur me fjalë të bukura patriotike, ”cover goal” i padeklaruar por që zbulohet, bëhet i qartë, me kalimin e kohës, është shumë meskin dhe egoist.
Çfarë i ndan krerët e partive shqiptare të Maqedonisë!? Cmira, zilia, krenaria e sëmurë, egoizmi, interesi personal, servilizmi, tradhëtia, mungesa e karakterit…? Ndoshta të gjitha bashkë, se interesi kombëtar nuk ka se si ti ndajë. Vuajtjet e shqiptarëve në Maqedoni nuk kanë të mbaruar. Papunsia, mosrespekti etnik, pabarazia etnike, mohimi i gjuhës dhe i kulturës shqiptare, keqtrajtimi zyrtar, emigracioni i stimuluar, pabesia sllavofone, ligjet dhe qeverisja antishqiptare, vet kushtetuta dhe sistemi i dhunës shtetërore i trashëguar, influenca sërbo-bullgare në politikën e brëndëshme dhe të jashtme të këtij shteti fantazmë, prapambetja ekonomike specifike e zonave shqiptare, etj., janë të pranishme në jetën e përditshme të popullit të vuajtur shqiptar në Maqedoninë e sotme.
Zgjedhjet e parakohëshme janë një shans, një mundësi, që të rikuperojnë një pjesë të mirë të gjërave që kanë humbur ose që nuk kanë pas mundësi të përftojnë më parë. Por, kondita është që partitë shqiptare të mos lidhen me ato maqedonase për të ndarë pushtetin. Ku kuptohet, që pjesa e luanit i bie maqedonsave dhe thërimet shqiptarëve. Ato duhet të dalin si një bllok shqiptar i vetëm, grupim partish shqiptare, pa të cilin të mos ketë mundësi të funksionoj ky shtet, ashtu gjysmak siç është. Vetëm ashtu shqiptarët do jenë në gjendje të vënë kushte dhe të imponohen në politikën e shtetit për të fituar të drejtat e tyre, që u janë mohuar deri tani. Kjo gjë është e qartë si drita e diellit dhe ska nevojë për komente. Këtë i propozoi dhe grupi i Çikagos, nuk u kërkoi të bënin harakiri, veç të bashkoheshin.
Dëmi që po i shkaktojnë këta njërëz, kauzës kombëtare dhe popullatës shqiptare të Maqedonisë, nuk ka si matet. Është puna më e keqe që mund të bëhet sot. Mjerë ata djemë shqiptarë që dhanë jetën, u vajti gjaku kot. U manipuluan nga këta krytarë partish të sajuar, besuan dhe u sakrifikuan për hiç gjë, që të zinte ndonjë post ndonjë nga këta kryetarë, që paçin haram aty ku janë.
Më lejoni tju tregoj një histori të vjetër. Dy gra, një fëmijë. Njëra e kishte lindur, tjetra e kishte rritur fëmijën. Shkuan tek Solomoni pasi nuk binin dakord se kujt i takonte fëmija. Solomoni pasi i dëgjoi pretendimet, tha: të dyja keni të drejtë, prandaj urdhëroj ta ndajnë fëmijën më dysh që sejcila të marrë gjysmën e saj. Gruaja që e kishte rritur u hodh dhe tha: mos e ndani fëmijën, jepjani asaj se unë heq dorë. Ajo nga dashuria për fëmijën , sakrifikoi. Eeee, kryetarët shqiptarë në Maqedoni nuk heqin dorë kollaj, ma mirë e ndajnë fëmijën, e bëjnë copa, se sa ta marri tjetri. Harojnë mjeranët se këtë që po bëjnë ata tani në këto zgjedhje, populli shqiptar do e vuaj me vite. As që u intereson, veç për vete mendojnë makutët.
Bukuresht,24.04.2011
http://www.kosovarimedia.com/home/aktual/opinione/4461-ah-keta-kryetaret.html


